​Malisheva në karantinë me mungesë të mjekëve

 ​Malisheva në karantinë me mungesë të mjekëve

Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj ka adresuar shqetësimet e tij për Qeverinë e Kosovës për mungesë të mjekëve dhe pajisje mbrojtëse në QKMF, pasi që kjo komunë është vendosur në karantinë që dje, pas paraqitjes së një rasti me koronavirus.

Ai në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka treguar se kjo komunë po përballet me mungesë të stafit të mjekëve dhe barnave esenciale.

Begaj ka bërë të ditur se përveç Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, nuk kanë pasur asnjë kontakt me nivelin qendror.

Begaj: Apelojmë që Qeveria të bëjë zgjidhje për komunën e Malishevës

“Është shqetësuese për ne, sepse kemi mungesë të mjekëve, tre mjekë i kemi në vetë-izolim. Apelojmë që ta bëjë një zgjidhje për komunën e Malishevës, që të jemi më të fuqishëm në këtë drejtim. Ne kemi një banor të infektuar dhe nuk mund të th emi se ka edhe të tjerë. Pres një syçelëti më të madhe nga qeveria, pasi që Malisheva ka pasur probleme edhe në të kaluarën në krahasim me komunat e tjera. Malisheva nuk është e fuqishme që vetë të përballojë gjendjen e krijuar. Furnizimi për mbrojtje dhe dezinfektues në QKMF është i mangët. Komuna e Malishevës ende nuk ka numër të saktë të atyre që janë futur në këtë komunë nga Italia”, tha ai.

Kryetari Begaj tha se që nga 27 shkurti e deri më 5 mars kanë ardhur nga Italia rreth 125 qytetarë.

LAJME TË TJERA