​Mustafa: Nëse LDK e udhëheqë qeverinë, do të hiqet reciprociteti

 ​Mustafa: Nëse LDK e udhëheqë qeverinë, do të hiqet reciprociteti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa pas takimit konsultativ me strukturat e larta të partisë, ka deklaruar se ekziston një përkrahje e gjerë nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm për mundësinë e një koalicioni me AAK, AKR dhe Nisma Socialdemokrate.

Ai tha se nuk dihet ende emri që do të udhëheqë këtë koalicion, por la të hapur mundësinë që nëse LDK e merr mandatin për qeverisje, atëherë do të hiqet masa e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Mustafa: 108 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm kanë votuar për këtë koalicion

“Nëse përmbushen të gjitha kushtet kushtetuese dhe na ofrohet e drejta e mandatit që ne si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar ta bëjmë qeverinë atëherë cilat janë rrugët më të mira që atë ta bëjmë? Ne konstatuam bashkërisht se kemi marrë një përkrahje dhe anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, sepse prej 124 sa janë tani në Këshillin e Përgjithshëm, 108 kanë votuar për mundësinë e një koalicionit të tillë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, AKR dhe dy grupet që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë në Kuvend”, tha Mustafa.

Sipas tij, koalicioni do të bëhet vetëm në momentin kur të përmbushen rrethanat kushtetuese, madje Mustafa shprehet se qeveria e udhëhequr nga LDK do të ketë figura të pastra.

Mustafa: Ne do bëjmë një qeveri me figura të pastra

“Koalicion do të bëjmë vetëm në momentin që vlerësojmë se janë përmbushur rrethanat kushtetuese që LDK-së t’i ofrohet një gjë e tillë. Deri atëherë presim që Vetëvendosje ta pranojë ose ta refuzojë mandatin dhe mos të sillet në prolongimin e deklarimit të saj dhe po ashtu kjo varet edhe nga partnerët tanë, sepse ne do ta bëjmë një qeveri vetëm me kusht që atë qeveri të kemi njerëz që kanë figurë të pastër, që nuk kanë problem me ligjin, sepse parim e kemi shtetin ligjor. Njerëz që kanë kompetencë profesionale për të bartur përgjegjësinë në qeveri dhe njerëz që do thotë që mund të përshtaten në punë ekipe duke marr parasysh edhe strukturën gjinore.. Objektivat kryesore duhet të jenë beteja për përballimin me koronavirusin dhe procesi i dialogut si proces me të mëdha. Ne tani konstatuam se kemi një disponim gjithmonë duke bërë kërkesa që të kemi njerëzit më të mirë në qeveri, më profesional dhe që jemi të gatshëm ta pranojmë këtë sfidë, por gjithmonë duke i respektuar hapat kushtetues”, deklaroi Mustafa.

Në këtë takim nuk ishte e ftuar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani e cila është edhe nënkryetare e kësaj partie. E mos prezencën e saj, e ka komentuar Mustafa i cili tha se Osmani e ka bërë të ditur tashmë qëndrimin e saj, i cili ishte kundër rrëzimit të Qeve risë Kurti dhe kundër formimit të koalicionit me partitë e tjera.

Kreu i LDK-së shtoi se brenda strukturave të LDK-së nuk është diskutuar emri i kandidatit për kryeministër, dhe se këtë gjë do ta bëjnë me marrjen e mandatit. Por kur u pyet se a ka vullnet personalisht, ai tha: “Po them, kam arsye”.

Mustafa: Nuk e kemi përjashtuar Osmanin, ajo e ka dhënë qëndrimin e saj

“Zonjën Osmani nuk po e përjashtojmë, sepse zonja Osmani e ka dhënë qëndrimin e saj në mënyrë publike. Mua më kanë interesuar edhe deklarimet tjera se çfarë mendojnë. Ajo se ka përjashtuar veten, sepse e ka dhënë qëndrimin e saj. Qëndrimi i saj ka qenë se është kundër mocionit të mosbesimit dhe po ashtu është deklaruar se nuk është për një koalicion të tillë, prandaj kam dashur t’i dëgjoj edhe të tjerët se a kanë mendim tjetër apo të tillë, sepse nuk ka qenë mbledhje, por ka qenë konsultë. Emrin nuk e kemi akoma pë r arsye se do të shohim kur të vijë puna që të jemi gati për të marrë mandatin, do ta sqarojmë në strukturat e LDK-së dhe do të dalim me emër konkret… Nuk e kemi diskutuar në struktura të partisë dhe unë do të bëj përpjekje maksimale që zgjidhja të jetë më e mira për LDK-në”, deklaroi Mustafa.

I pari i LDK-së ka thënë se nëse qeveria e ardhshme drejtohet nga LDK-ja, atëherë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të hiqet. Sipas tij ky është një premtim që i kanë dhënë emisarit special të presidentit amerikan për dialogun, ambasadorit Richard Grenell.

Mustafa: Në momentin që LDK do të bënte një qeveri, do të hiqet reciprociteti

“I kemi thënë ose i kemi premtuar edhe këtu në LDK, se ne do të pajtohemi që të hiqet tarifa dhe të hiqet pa kushte për një periudhë dhe po ashtu që ne presim që në mënyrë reciproke të sillet Serbia, do të thotë të gjitha pengesat ndaj Kosovës t’i heqë duke përfshirë fushatën kundër njohjeve, kundër vendeve që e kanë njohur Kosovën. Po ashtu e kemi biseduar për faktin se nëse Serbia nuk i bie në zero të gjitha pengat e saj, atëherë ne do ta kthejmë dhe do ta instalojmë reciprocitetin si bazë ligjore, sepse një çështje e tillë është e përcaktuar edhe me ligjet e Kosovës. Unë jam i sigurt që në moment që LDK do të bënte një qeveri ose do të drejtonte një qeveri, atëherë hapat e kësaj qeverie do të duhej të ishin që edhe reciprociteti të hiqet, por jo për të mos u vendosur kurrë, por të hiqet si vullnet i mirë për të filluar dialogu. Nëse gjatë procesit të dialogut ose më vonë të shihet se Serbia nuk po vepron në mënyrë të njëjtë ose nuk po reflekton, të kthehet një reciprocitet i njëjtë, jo ky që po zbatohet tani, por një reciprocitet i plotë ekonomik dhe politik”, tha ai./KosovaPress/

LAJME TË TJERA