Arrestohet bashkëpunëtori kryesor i Kurtit në Shqipëri

 Arrestohet bashkëpunëtori kryesor i Kurtit në Shqipëri

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Boiken Abazi, që është po ashtu një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Albin Kurtit, është arrestuar mëngjesin e sotëm në Shqipëri. Kështu ka bërë të ditur qendra e LVV-së në Tiranë, raporton Gazeta Express.

Sipas njoftimit të LVV-së, arrestimi Abazit është bërë gjatë kohës sa ai ishte duke shkuar në një tubim protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

“Aktivisti dhe drejtuesi i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri, Boiken Abazi, është arrestuar nga policia, në rrugë e sipër teksa po shkonte për të marrë pjesë në tubimin paqësor protestues pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ky arrestim është tipikisht i porositur. Arrestimi u krye para se të fillonte tubimi, madje para se Boiken Abazi të mbërrinte në vendin e lajmëruar për tubimin”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se ky tubim ka të bëjë me vizitën e ministrit të jashtëm grek në Tiranë dhe se kjo protestë është organizuar nga Shoqata “Çamëria”.

“Tubimi paqësor protestues i organizuar nga Shoqata “Çamëria” dhe PDIU me rastin e vizitës së ministrit të jashtëm grek në Tiranë synon shtrimin e kërkesave në lidhje me zgjidhjen e çështjes shqiptare të Çamërisë, heqjen e ligjit të luftës dhe delimitimin e drejtë të kufive detarë. Shënjestrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe i Boiken Abazit tregon për një politikë të fëlliqur që po bën qeveria Rama, duke dashur të ofrojë një dhuratë të dhunshme ndaj vizitorit grek”, thuhet në njoftim

LVV-së ka bërë thirrje që drejtuesi i qendrës së tyre në Tiranë të lirohet.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! është për miqësinë e bashkëpunimin mes popujve, për të drejta evropiane për minoritetet, por mbi të gjitha për shtete të drejta e jo diskriminuese. Për sa kohë shteti grek vazhdon politika diskriminuese e armiqësore ndaj shqiptarëve, ne do të vazhdojmë ta themi të vërtetën, edhe duke protestuar, e Rama nuk mund të na ndalë me arrestime të shënjestruara. Bëjmë thirrje të lirohet Boiken Abazi një orë e më parë, e të dënohen urdhërdhënësit për përndjekjen politike e shënjestrimin që po na bëjnë!”, thuhet në njoftim.

Abazi është themelues i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, të cilën e udhëheq vetë.

LAJME TË TJERA