Arrestohet i dyshuari për disa grabitje të armatosura, i sekuestrohen dy armë zjarri

 Arrestohet i dyshuari për disa grabitje të armatosura, i sekuestrohen dy armë zjarri

Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë një të dyshuar për disa grabitje, përfshirë edhe grabitjen e një institucion mikrofinanciar në Prishtinë.

“Drejtoria Rajonale e Policisë së Prishtinës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e operative me qëllim goditjen dhe kapjen e individëve dhe grupeve kriminale që kohëve fundit kanë qenë të implikuar në kryerjen e veprave të grabitjeve të armatosura”, ka bërë të ditur për IndeksOnline zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se hetuesit nga njësiti i hetimeve të përgjithshme të Prishtinës, konkretizuan sot punën e tyre hetimore, e cila rezultoi me arrestimin e një personi i cili dyshohet me bazë të jenë përfshirë në grabitjen e armatosur më datë 08.02.2021 në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë, me c’rast nën kërcënimin e armës në një institucion mikrofinanciar janë grabitur një shumë parash.

“Arrestimi u krye në lagjen Emshir, në Prishtinë, përderisa policët e përfshirë në operacion pas një observimi paraprak ndaluan personin: D.T, mashkull, 33vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, të cilit i është gjetë (në trup) dhe sekuestruar një revole”, theksoi Ahmeti.

Ajo ka thënë se ndërkohë policia ka kryer një operacion bastisjeje dhe ka ushtruar kontrollë të detajuar në një banesë ku jetonte i dyshuari ka arritur të gjejë dhe të sekuestroj:

•Një revole (tjetër) si dhe,

•Gjësende të tjera të cilat nga hetimet e kryera nga ana e policisë dyshohet të jenë përdorur në rastet që janë në hetim.

“Ndaj personit të dyshuar për të cilin është ngritur dyshimi i arsyeshëm se është i përfshirë edhe në disa raste të grabitjeve me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e arrestit policor prej 48 orësh, përderisa po kryhen veprimet vijuese hetimore në procedim të mëtejmë të rastit”, theksoi Ahmeti.

LAJME TË TJERA