Arrihet marrëveshja, Vedat Muriqi nën Serie A

 Arrihet marrëveshja, Vedat Muriqi nën Serie A

Vedat Muriqi është njëri nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë, falë formës së mirë të treguar këtë edicion.

Sulmuesi kosovar ka shkëlqyer pas transferimit në Stamboll, duke përfunduar në listën e skuadrave të njohura evropiane, transmeton Telegrafi.

26-vjeçari ka shënuar 15 gola e ka bërë gjashtë asistime duke rritur ndjeshëm çmimin e tij.

Tottenham Hotspur, Burnley, West Bromwich Albion, Stade Rennes, Napoli e Lazio janë skuadrat që pe duan Muriqin, por garën duket se e kanë fituar kryeqytetasit italianë.

Mediat turke kanë raportuar se tanimë dy klubet, Fenerbahçe dhe Lazio kanë arritur një marrëveshje për transferimin e Muriqit në Serie A.

Biancocelestët kanë pranuar që të paguajnë shumën prej 20 milionë euro për transferimin e kosovarit në Olimpico.

Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare ka biseduar me lojtarin dhe agjentin e tij ku thuhet se ka një akord mes tyre.

Lazio ka qenë skuadra që ka insistuar më së shumti për Muriqin, pasi kryeqytetasit do të mbeten pa dyshen e sulmit Ciro Immobile dhe Felipe Caicedo.

Megjithatë Fenerbahçe nuk do t’i marrë të gjitha paratë nga shitja e Muriqit, pasi 15% e shumës do t’i shkojnë ish-skuadrës së prizrenasit Rizespor.

Kujtojmë që ditë më parë ishte agjenti i reprezentuesit kosovar që tha publikisht se dëshira e Muriqit është të luaj në kampionatin italian Serie A.

Në Turqi raportohet se Fenerbahçe tanimë ka gjetur zëvendësuesin e Muriqit dhe ai është ish-sulmuesi i Skënderbeut, Ali Sowe që aktualisht luan në Bullgari me CSKA Sofjan.

LAJME TË TJERA