Babë e bir kapen duke vjedhur dru në pronë ‘të shtetit’, shoqërohen në polici

Prerja ilegale e druve në hapësira të cilat janë në prona publike, është një dukuri mjaft e shpeshtë në vendin tonë.

Përpos dëmtimit të hapësirës së gjelbër, të dyshuarit ngarkohen edhe me veprën penale të vjedhjes dhe si pasojë bien në telashe me ligjin.

Një rast i tillë ka ndodhur dje te vendi i quajtur ‘Guri i Xhamisë’ në fshatin Luzhnicë të Suharekës, ku dy persona, babë e bir, janë kapur në flagrancë duke prerë dru për t’i vjedhur.

Sinjali mëson se ata u kapën nga roja i pyllit, i cili ka denoncuar rastin në Polici, duke bërë të ditur se hapësira ku janë prerë drutë është pronë e Kuvendit Komunal.

Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa makina bujqësore me drutë e ngarkuara është sekuestruar.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori ka urdhëruar që ndaj të dyshuarve të iniciohet rasti për veprën penale ‘Vjedhje’.