E premte, Janar 27

Bie importi nga Serbia, bizneset manipulojnë me flamujt e origjinës së produkteve

Qytetarë të shumtë po vazhdojnë të bojkotojnë produktet e prodhuara në Serbi, si rrjedhojë edhe bizneset kanë filluar të importojnë më pak produkte të tilla.

Mirëpo, duke e parë bojkotin që po ju bëhet shumë produkteve të prodhuara në Serbi, thuhet se disa nga bizneset po manipulojnë me flamujt e origjinës së produkteve, shkruan Kanal10.

Raftet i ka të mbushura me produkte të prodhuara në Serbi.

Por jo për shkak të interesimit të konsumatorëve për t’i blerë ato, por për shkak se të njëjtat po bojkotohen.

E si rrjedhojë, menaxherja e marketit, Natyra Reka-Ibrahimi, ka thënë se edhe vet kanë filluar që të reduktojnë produktet e prodhuara në Serbi.

Kjo pasi që edhe interesimi i qytetarëve për t’i blerë ato ka rënë.

Produktet e prodhuara në shtetin serb, po i bojkoton edhe Burim Canaj nga Komuna e Prishtinës.

Ai ka thënë se të gjitha produktet janë lehtë të zëvendësueshme, andaj edhe u ka bërë thirrje edhe të tjerëve që t’i bojkotojnë ato.

Një apel të njëjtë po e bënë edhe Burim Piraj, nismëtar i fushatës “Besa-besë” për bojkotimin e produkteve serbe.

Ai ka thënë se tashmë një numër i madh i bizneseve kanë filluar që t’i bojkotojnë këto produkte.

Mirëpo, duke e parë bojkotin që po ju bëhet shumë produkteve të prodhuara në Serbi, kryetari i organizatës “Konsumatori” Selatin Kaçaniku ka thënë se disa biznese kanë filluar që të mashtrojnë konsumatorët, duke u ndërruar barkodin prodhimeve.

Mallra në vlerë prej 370 milionë eurove janë importuar vetëm gjatë vitit 2022 nga Serbia në Kosovë.

Mirëpo, krahasuar me vitet e tjera, gjatë vitit që lam pas, importi nga ky shtet shënoi rënie.