“Blloqet A3 dhe A5 u prishën qëllimshëm nga KEDS-i në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë”

 “Blloqet A3 dhe A5 u prishën qëllimshëm nga KEDS-i në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë”

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se kanë informacione nga burimet brenda Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), se rënia e Bllokut A3 dhe A5 është bërë qëllimshëm.

Molliqaj në një konferencë për media ka deklaruar se ka dyshime që kjo prishje është shkaktuar nga KEDS-i.

“Në bazë të burimeve tona brena KEK-ut janë duke u zhvilluar tri problematika të theksuara që e rëndojnë edhe më tutje sistemin e energjisë në Kosovë. E para tashmë ka ndodhur. Sipas burimeve tona 10 ditë më parë ka pasur rënie të Bllokut A3 dhe A5, kishte mungesë të shtuar të energjisë elektrike. Sipas asaj që ne kemi informacione dhe që kërkojmë hetim të organeve përgjegjëse dhe të ekspertëve të fushave, rënia e Bllokut A3 dhe A5 brenda ditës duket që ka qenë e qëllimshme dhe e shkaktuar nga KEDS-i”, ka thënë ai.

Më tutje, Molliqaj tha se dyshojnë që KEDS-i këtë veprim e ka bërë në bashkëpunim me menaxhmentin e ri të KEK-ut dhe Qeverinë e Kosovës.

Kjo, sipas tij, ka ndodhur me qëllim të dëmtimit të reputacionit të KEK-ut.

“Në mungesë të shkarkimit të rrymës dhe kthimit të rrymës nga KEDS drejt termo-elektranës A3 dhe A5 ka ndodhur dëmtimi i qëllimshëm i saj. Ne dyshojmë që nëse vërtetohet se ka qenë një veprim i tillë në bazë të asaj që ne kemi informatë është lehtë e vërtetueshme nëse do të ketë hetime, kjo i bie që ka pasur qëllim KEDS-i në bashkëpunim edhe me Qeverinë dhe me menaxhmentin e ri, të dëmtojë reputacionin e kompanisë publike KEK, dhe të thotë se mungesa e energjisë është e shkaktuar nga mungesa e prodhimit dhe problemeve në KEK”, deklaroi ai.

Ai ka kërkuar hetim të menjëhershëm për këtë rast.

“Ne kërkojmë hetim të menjëhershëm nga organet kompetente, kërkojmë raport nga menaxhmenti i KEDS-it dhe i KEK-ut për këtë dhe kërkojmë angazhimin e ekspertëve për ta luftuar një dukuri të tillë”, tha Molliqaj.

LAJME TË TJERA