Champions dhe Conference League, javë vendimtare për skuadrat e trevave shqiptare

Emocionet e kupave të Europës kanë nisur, ndërsa java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për skuadrat e trevave shqiptare.

Tirana, kampionët e Shqipërisë janë përpara një jave të rëndësishme. “Bardheblutë” nisen me misionin përmbysje ndaj Dudelange, pas humbjes minimale në transfertën e Luksemburgut. Në “Air Albania”, më 12 korrik, Tirana luan gjithçka për gjithçka për të prekur raundin e dytë të UEFA Champions League.

Shkupi është me njërën këmbë në raundin e dytë, pas suksesit bindës në ndeshjen e parë 3-0 ndaj Lincoln dhe në Gjibraltar skuadrës maqedonase i duhet vetëm të mirë administrojë 90 minutat e ndeshjes së kthimit, pasi në aktin e parë, të dyja ekipet treguan diferenca të mëdha.

Në Lituani, me misionin kualifikim prezantohet edhe Ballkani, që në ndeshjen e parë nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 përballë Zalgiris.

Në Conference League, skuadra e parë që do të zbresë në fushën e lojës do të jetë Drita. Humbja në Finlandë nuk la shije të mirë, por skuadra kosovare do të kërkojë të shfrytëzojë në maksimum faktorin shtëpi për të përmbysur skuadrën e Inter Turku, pas disfatës 1-0 në aktin e parë.

Në krahun tjetër Gjilani, skuadra e Zekirija Ramadanit triumfoi në ndeshjen e parë 1-0 përballë Liepaja dhe tani në transfertën letoneze, kosovarët luajnë për dy rezultate.

Më pas, vëmendja do të spostohet te Shkëndija e Tetovës që luan në transfertën armene përballë Ararat. Një udhëtim deri diku komod pas suksesit të parë 2-0 për “kuqezinjtë”, por që nuk duhet nënvlerësuar aspak.

Llapi do të ketë një mision të vështirë pas humbjes së parë 2-0 ndaj Buducnost dhe në Prishtinë do të “sakrifikojë” gjithçka për të realizuar përmbysjen.

Në Tiranë, vëmendje do të marrë Partizani që pret në shtëpi Saburtalo-n.

“Të kuqtë” vijnë me moralin e duhur në këtë ndeshje pas suksesit në Gjeorgji falë rezultatit minimal 1-0.Laçi dështoi të triumfonte në aktin e parë, në “Elbasan Arena” përballë Iskra-s. Kurbinasit udhëtojnë drejtë një transferte ku janë të dënuar për të fituar nëse duan të vijojnë të jenë pjesë e kupave të Europës.

Në fund Decic që pret në shtëpi bjellorusët e Dinamo Minsk më ndeshjen e parë që u mbyll në barazim 1-1./SuperSport