Deputetja e AAK-së kërkon të kthehen masat e izolimit, shkak rritja e numrit të COVID-19

 Deputetja e AAK-së kërkon të kthehen masat e izolimit, shkak rritja e numrit të COVID-19

Nga dita e premte në Kosovë janë konfirmuar mbi 110 raste me Covid-19, numër ky mjaft shqetësues pas lirimit të masave. Komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Prishtinës janë vatrat me numrin më të madh të deritanishëm me 196, përkatësisht 168 raste.

Për këtë shefi i qeverisë kishte paralajmëruar rikthim të masave, megjithatë ministri i Shëndetësisë të dielën ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. E kryetarja e Komisionit për Shëndetësi thotë për KosovaPress se në rast të mos respektimit të rekomandimeve të IKShP-së, masat restriktive duhet të rikthehen.Pasditen e së premtes i pari i ekzekutivit, Avdullah Hoti në një konference për media kishte bërë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm, meqë sipas tij situata është alarmante. Ai madje kishte paralajmëruar rikthimin të masave.

Pavarësisht deklaratës së shefit të tij të ekzekutivit, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka deklaruar se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Veç se ai të dielën bëri të ditur se ditëve në vijim do të ketë testime masive.

Numrin e madh të rasteve ditëve të fundit me koronavirus, kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e sheh me shqetësim, meqë sipas Albena Reshitajt, Kosovës i duhet më së paku numër aq i madh i rasteve të prekur nga kjo pandemi.Reshitaj për KosovaPress tha se nevojitet një vigjilencë më e madhe për të monitoruar të gjitha institucionet publike e private. Në rast se rekomandimet e IKShP-së nuk gjejnë zbatim, ajo konsideron rikthimin e masave.

Reshitaj ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të ftojnë ministrin e Shëndetësisë për raportim në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për të parë se si po menaxhohet kjo gjendje nga ky dikaster.Ndërkohë, që nga fillimi i pandemisë në Kosovë kanë vdekur 33 pacientë, të cilat kanë qenë të diagnostikuar me Covid-19. Deri më tani janë konfirmuar 1437 raste, prej tyre 928 janë shëruar.

LAJME TË TJERA