Diplomatët kryesorë evropianë në qeveri, për pak takimi me Kurtin

I deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i shoqëruar me këshilltarët për polikë të jashtëm të Gjermanisë, Francës, Italisë në njërën anë dhe me zëvendës-ndihmës sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, në anën tjetër, kanë arritur tashmë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Ushtria diplomatike evropiano-amerikane, është pritur fillimisht nga zyrtarja e protokollit.

Të njëjtit nën shoqërimin e saj kanë vazhduar për te zyra e kryeministrit.

Takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe top-diplomatëve evropiano-amerikane, do të zhvillohet pa pranin e mediave.

Ndonëse temat e takimit nuk janë bërë publike, çështja mbi të cilën do të shterohen minutat do të jetë padyshim procesi i dialogut Kosovë-Serbi.

Që nga muaji shtator, liderët nga Kosova dhe Serbia kanë para vetes një propozim perëndimor të hartuar nga Franca e Gjermania dhe të birësuar nga Bashkimi Evropian i njohur si plani franko-gjerman.

Albanian Post nga burime diplomatike ka kuptuar se ky takim fundjanari është “Make It or Break It”, sepse status-quoja mes dy vendeve është luks që s’e ofron dot Evropa në këtë pranëvjetor të një lufte brenda kontinentit – asaj mes Ukrainës e Rusisë.

Ku ka ngecur çështja?

Kryeministri Kurti e ka quajtur planin franko-gjerman “një bazë e mirë”, derisa në Serbi u ka penguar më shumë, pasi konsiderojnë se aty parashihet njohja de-facto e Kosovës e atë nuk e duan. Por, refuzim zyrtar planit s’i është bërë dhe bisedimet për të s’i kanë refuzuar formalisht asnjëra palë.

Problemi është se ngërçi gjendet para diskutimit për vetë planin.

Në vorbullën e shumë zhvillimeve të muajve të fundit muri i pakalueshëm është një: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti ka ardhur duke e zbutur qëndrimin refuzues, por ai ka pranuar që të diskutohet për këtë mekanizëm politik vetëm si pjesë e marrëveshjes finale bazuar mbi planin franko-gjerman, derisa Vuçiç ka deklaruar se pa filluar Kosova zbatimin e Asociacionit ai nuk pranon futje në negociata.

Arsyetimi i tij – i thënë në disa raste – është se s’ka nevojë për marrëveshje të reja, nëse ato të nënshkruarat paraprakisht nuk zbatohen.

Kurti është kundërpërgjigjur se s’ishte ai që e nënshkroi këtë marrëveshje në vitin 2015 dhe s’ka pse të jetë ai që e zbaton. Derisa motivet për themelimin e Asociacionit i ka quajtur të errëta, sepse, sipas kryeministrit të Kosovës, me këtë bashkim komunash serbe nuk synohet ndonjë ndihmë për komunitetin serb të Kosovës, por një levë që ia mundëson Beogradit përzierjen e përhershme në çështje të brendshme të Kosovës dhe destabilizimin konstant të shtetit.

Shembulli për këtë? Republika Serbe në Bosnje dhe Hercegovinë.

Këtë shqetësim shprehu edhe në takimin e fundit me Chollet, por amerikani thotë se ia ka hequr atë dert, pasi e ka bërë të qartë se vetë amerikanët nuk do ta shtynin përpara nëse do përbënte mekanizëm të njëjtë.

“Krijimi i Asociacionit”, thotë ai në intervistën për REL “është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ne jemi shumë të qartë me kolegët tanë në Prishtinë që kjo nuk është diçka sikurse Republika Serbe, si entitet”.