Dyshohet se vrau vëllaun në oborr të shtëpisë, ngritet aktakuzë ndaj rahovecasit

 Dyshohet se vrau vëllaun në oborr të shtëpisë, ngritet aktakuzë ndaj rahovecasit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit J.G., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 12 qershor 2021, në fshatin Sopniq, komuna e Rahovecit pikërisht në oborrin e shtëpisë së tij, i pandehuri me dashje, ka privuar nga jeta tani të ndjerin, vëllain e tij, H.G.

“Rasti ka ndodhur për shkak të mosmarrëveshjeve rreth disa bagëtive, ku viktima kishte shkuar me dy djemtë e tij në oborrin e të pandehurit, dhe pas një fjalosje , i njëjti me armë zjarri e ka qëlluar dy herë vëllain e tij, tani të ndjerin, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173 paragrafi 1, nen paragrafi 1.3 dhe 1.5 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin për media.

Po ashtu, i pandehuri J.G., më parë e deri më 12 qershor 2021, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.

Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragraf 1 i KPRK-së.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri J.G., të dënohet sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.

LAJME TË TJERA