E dashura pranoi të martohet me të, 26-vjeçari prishtinas ia “kris” armës – shoqërohet në polici

Të shtënat me armë në shenjë gëzimi janë raste të shpeshta në vendin tonë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Prej të tilla incidenteve jo rrallëherë e kanë pësuar edhe qytetarët e pafajshëm, që nuk kanë qenë pjesë e ahengjeve e organizimeve të tilla.

Një rast i tillë, por jo fort i zakontë ka ndodhur të dielën në lagjen Sofali në Prishtinë. Këtë herë, një 26-vjeçar përfundoi në Polici pasi dikush e denoncoi për të shtëna me armë.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se si rezultat i raportimit të rastit, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku e kanë gjetur të riun, i cili dyshohet se kishte shtënë me armë me gaz pasi kishte një “festë”.

Sinjali mëson se arsyeja e gjuajtjes me armë, sipas të dyshuarit, ka qenë vendimi i të dashurës së tij për t’u martuar me të. Pranimi i propozimit për të kurorëzuar dashurinë e ka shtyrë të riun pa një pa dy që ta shkrep armën në shtëpinë e tij.

Arma që dyshohet se e ka mbajtur pa autorizim është sekuestruar nga ana e Policisë, së bashku me dhjetëra fishekë, kurse i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.