E FUNDIT: PDK e LDK pranë marrëveshjes në Prishtinë

 E FUNDIT: PDK e LDK pranë marrëveshjes në Prishtinë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet të arrijnë marrëveshje për qeverisjen e Komunës së Prishtinës.

Negociatat ndërmjet dy subjekteve politike për arritjen e koalicionit qeverisës në kryeqytet, janë drejt përmbylljes.

Komunikimin mes dy partive e kanë marrë përsipër Arben Gashi, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës dhe Uran Ismaili, nënkryetari i PDK-së.
Megjithatë, deputeti Arben Gashi ka refuzuar të komentojë zhvillimet rreth negociatave për koalicionin qeverisës në kryeqytet.

I kontaktuar nga Paparaci të hënën, Gashi tha se formimi i koalicionit qeverisës në Prishtinë është detyrë e kryetarit, Përparim Rama.

“Bisedoni me kryetarin. Kjo është detyrë e tij”, tha Gashi për Paparacin, në një bisedë telefonike.

Sipas burimeve të mirëinformuara të Paparacit, PDK-ja ka vendosur që të “zhagisë” procesin e negociatave për koalicionin qeverisës në Prishtinë me synimin për përmbushjen e kërkesave kryesore të saj.

Njeriu ka marrë në duart e tij negociatat për koalicionin qeverisës nga pala e PDK-së, kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka qenë i paçasshëm në telefon të hënën, shkruan Paparaci.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur seancë këtë të mërkurë më 5 janar për zgjedhjen e kryesuesit të asamblesë komunale të Prishtinës.
Këtë për Paparacin e ka konfirmuar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj.

“Me 5 janar kemi seancën për zgjedhjen e Kryesuesit të Asamblesë”, tha ai shkurtimisht për Paparacin.

Kjo seancë është thirrur një ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e kryesuesit të asamblesë komunale, kjo sepse Përparim Rama ka kohë deri më 6 janar për të zgjedhur kryesuesin.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet më së largu 30 ditë pas betimit të anëtarëve të asamblesë.

Kryetari i Prishtinës deri më tani ka bërë të ditur se ka emëruar vetëm një nënkryetar, Alban Zogaj si dhe shefin e kabinetit, Vllaznim Osmani.
Mirëpo deri më tani nuk janë bërë të ditur emrat e 16 drejtorive dhe njërit nënkryetar. Kurse, ditë më parë në Klan Kosova Rama ka deklaruar se në Komunën e Prishtinës planifikon të shtoj edhe dy drejtori.

Përparim Rama është betuar i kryetar i komunës së Prishtinës më 7 dhjetor të vitit të kaluar, kurse KQZ-ja ka certifikuar rezultatet për Prishtinën më 23 nëntor.

LAJME TË TJERA