E pakuptueshme: Ministri Rashiq ‘ndërhyn’ në drejtësi, komenton rastin e Shtërpcës

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka bërë një deklaratë skandaloze për rastin e Shtërpcës, duke ndërhyrë në sistemin e drejtësisë mbi krejt këtë çështje e cila u përcjell me shumë bujë e reagime nga më të ndryshmet, raporton Paparaci.

Ai për këtë ngjarje që ndodhi të premten e kaluar e ku mbetën dy të rinj të plagosur, thotë se u tentua qëllimisht vrasja e tyre.

Rashiq për mediumin serb ‘Nova’ tha se dëshiron t’i ftojë edhe kolegët e të akuzuarit Azem Kurtaj “të dëshmojnë për sjelljen e tij të përgjithshmen dhe shprehjen e nacionalizmit”, transmeton Paparaci.

“Ishte një tentim vrasje dhe do të mbetet kështu. Nuk kam dyshim se qëlloi fëmijët me synimin për t’i vrarë”, shtoi ai.

U shpreh se në deklaratat e tij udhëzohet nga ajo çfarë është shkruar në aktakuzë.

Për më tepër, Rashiq tha se si ministër në Qeverinë Kurti 2 ishte i pari që u lajmërua për ngjarjen sepse ishte në kontakt me ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla.Në anën tjetër, ai përgëzoi Policinë e Kosovës, kurse arrestimin e të dyshuarit e quajti ‘suksesi i vitit’ për këtë institucion sigurie.

Ndër të tjera, Rashiq tha se shpreson që Kurtaj ta marrë dënimin adekuat. Këtë tregoi se e beson në mënyrë absolute.

“Sepse, çfarë kam parë gjer më sot, se çfarë ka përpiluar prokuroria, dhe çfarë është konfirmuar nga gjykata duke e lënë në paraburgim për 30 ditë, më tregon se ka vendosmëri të madhe”, vijoi Rashiq.

“Nga presidenti, kryeministri, të gjithë ministrat dhe diplomatët, dhe kjo më thotë se askush nuk hezitoi të deklarojë asgjë për këtë rast, përveç se është një krim i tmerrshëm që duhet të sanksionohet dhe të zbardhet sa më parë”.

Megjithatë, Kujtim Kërveshi, avokat i pjesëtarit të FSK-së, Azem Kurtajt nuk pajtohet me cilësimin që prokuroria ia bëri plagosjes së dy të rinjve serbë në Shtërpcë si “vrasje në tentativë”.

Ai tha se nuk e di se si janë lënduar dy të rinjtë.

“Nga predha e kujt janë lënduar, a janë vet-lënduar, unë nuk e di. Këtë duhet të na e tregojë prokuroria”, tha avokati në T7.

Të dielën, Gjykata Themelore në Ferizaj e çoi Kurtajn 30 ditë në paraburgim. Sipas kësaj gjykate, ai dyshohet për tri vepra penale.