Edhe sot numër i lartë i të prekurve me koronavirus në Kosovë, statistikat do të bëhen publike në orët e vona

 Edhe sot numër i lartë i të prekurve me koronavirus në Kosovë, statistikat do të bëhen publike në orët e vona

Në Klinikën Infektive janë të shtruar 44 persona, të cilët kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Tre prej tyre janë në gjendje kritike, ndërsa shtatë të tjerë kanë nevojë për oksigjeno-terapi.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme dy nga pacientët janë liruar në shtëpi. Infektologu Murat Mehmeti ka bërë të ditur për KP lidhur me gjendjen e pacientëve që ndodhen nën kontrollin e stafit mjekësor në Klinikën Infektive.

“Për momentin i kemi të shtrirë 44 pacientë me COVID-19. Prej këtyre, tri raste janë në gjendje kritike, për faktin se janë në respiratorë, konkretisht me frymëmarrje të sforcuar dhe i kemi shtatë pacientë të cilët kanë pamjaftueshmëri respiratore dhe të cilët kanë nevojë për oksigjeno-terapi. Ndërkohë që pacientët e tjerë janë relativisht mirë, po mbahen dhe po qëndrojnë mirë”, tha Mehmeti.

Mehmeti tregon se gjatë ditës priten të dalin rezultatet edhe për 10 persona të dyshuar me koronavirus.

“Numri variron, sepse vazhdimisht vijnë raste të reja, pranohen, testohen. Kështu që mund t’iu them se është numër më i madh se 10, e ndoshta më vonë bëhen 15-20. Varësisht se sa do të jetë fluksi i qytetarëve që do të vijnë të pranohen, dhe t’iu merren strishat”, tha Mehmeti.

Infektologu Mehmeti thotë se po arrijnë të menaxhojnë gjendjen në Klinikën Infektive, marrë parasysh se një numër i madh i te infektuarve po trajtohen në kushte shtëpiake dhe ndodhen në vetizolim.

“Është më shumë se 50 numri i të shëruarve. Vetëm sot i kemi liruar dy pacientë, pasi iu janë marrë strishot dy herë. Rregull është se pasi i merren strishot dy herë dhe ato rezultojnë negative, ne e llogarisim si të shëruar dhe lëshohet për shtëpi. Kështu që sot i kemi liruar dy pacientë. Dhe kemi edhe pacientë të tjerë që besoj shumë shpejt do t’i lirojmë po ashtu, por që jemi në pritje të rezultateve”, tha Mehmeti.

Deri më tash në Kosovë janë 283 të infektuar, prej tyre 58 janë shëruar dhe shtatë kanë vdekur.

LAJME TË TJERA