Ekzekutohet biznesmeni në Himarë, plagoset e motra

 Ekzekutohet biznesmeni në Himarë, plagoset e motra

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Himarën mëngjesin e kësaj të shtune. Mësohet se biznesmeni Niko Goro, 51 vjeç, është ekzekutuar me armë zjarri në shëtitoren e qytetit.

Bëhet e ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:00 kur viktima ishte nën shoqërinë e së motrës së tij, pranë një dyqani në shëtitore, kur është qëlluar.

Si pasojë, Niko Goro, ka mbetur i vrarë, ndërsa e motra e tij është plagosur në këmbë.

Pak pas vrasjes, policia ka bërë të ditur se ka arritur të ndalojë në vendin e quajtur “Livadhet” shtetasin Kliti Leka , 53 vjeç, banues në Tiranë, i cili dyshohet të jetë autor i kësaj ngjarje.

Policia ka sekuestruar edhe armën e dyshuar të krimit, armë zjarri kallashnikov dhe automjetin me të cilin u largua autori.

Njoftimi i policisë

Më datë 17.10.2020, rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë, nga një person ende i pa identifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi N.G, 51 vjeç. Si pasojë është plagosur lehtë në këmbë edhe shtetasja E. Q., 57 vjeçe, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.

Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Vlorë.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

LAJME TË TJERA