Eroll Salihu: Posti i trajnerit të kombëtares U21 as që është përmendur deri tani – Emrat e propozuar janë vetëm spekulime

 Eroll Salihu: Posti i trajnerit të kombëtares U21 as që është përmendur deri tani – Emrat e propozuar janë vetëm spekulime

Ditëve të fundit kanë qarkulluar shumë zëra lidhur me pasardhësin e Rafet Prekazit te stoli i kombëtares U21.

Lidhur me këtë çështje, ka folur edhe Eroll Salihu. Sekretari i përgjithshëm i FFK-së, në një prononcim për GazetaBlic, tha se kjo çështje nuk është përmendur deri më tani nga askush në shtëpinë numër një të futbollit në vend.

“Jo absolutisht. Askush nuk e ka përmendur atë. Në fund të vitit skadojnë kontratat, pastaj kryetari do të mblidhet me akterët përgjegjës, respektivisht Komitetin Ekzekutiv. Pra, propozohet një emër, pastaj palët në koordinim reciprok vendosin së bashku për emrin e propozuar”, tha fillimisht Salihu.

Ndërkaq, ai nuk e mohoi edhe faktin që të ketë propozime të emrave të trajnerëve vendorë.

“Ajo që mund t’iu them është se mund të jetë kushdo, porse kjo do të mësohet pas përfundimit të kontratave. Do të thotë deri atëherë ka kohë për t’u menduar. E rëndësishme është që ta keni parasysh, emrat e lakuar deri tani në media, nuk janë lakuar brenda zyreve të FFK-së”, përfundoi ai.

LAJME TË TJERA