“Favoret ndaj Shkumbin Demaliajt e Arbër Tolajt” – ministri Ramë Likaj përfshihet në një skandal të ri

 “Favoret ndaj Shkumbin Demaliajt e Arbër Tolajt” – ministri Ramë Likaj përfshihet në një skandal të ri

Brenda tre muajve të fundit, dy favore i ka kryer ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) për dy bashkëpartiakë të tij.

Pasi në muajin gusht emëroi anëtare në Bord të Universitetit të Pejës motrën e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ministri Likaj ka “reahtuar” gjatë kësaj jave në Bordin e Universitetit të Prishtinës edhe motrën e deputetit tjetër të AAK-së, Arbër Tolaj.

Shpresa Gjonbalaj, motra e deputetit Arbër Tolaj, është emëruar anëtare e Bordit të Universitetit të Prishtinës. Këtë vendim e ka marrë ditë më parë ministri i Arsimit, Ramë Likaj, i cili vjen nga kjo parti, raportoi sot Koha.net.

Vite më parë, Gjonbalaj ka qenë edhe anëtare e kryesisë së AAK-së në Pejë. Emërimi i saj është bërë meqë javë më parë dha dorëheqje njëra nga anëtaret e Bordit të Universitetit, Mimoza Hasani-Pllana.

Gjonbalaj është arsyetuar se nuk është emëruar për arsye politike, por për shkak të përvojës së saj në institucione.

“Bagazhi im profesional dhe institucional ka bërë që të jem pjesë e këtij këshilli. Nuk e konsideroj se ka pasur ndonjë imponim, vëllai im është bërë deputet. Pasi kam mbaruar doktoraturën, pasi e kam mbrojtur disertacionin tim doktoral, nuk e konsideroj që ka ndërhyrje politike”, ka thënë Shpresa Gjonbalaj, anëtare e Bordit të UP-së.

Njerëz partiakë Likaj ka emëruar muaj më parë edhe në Universitetin e Pejës.

Dy nga tre të emëruarit në Bordin e këtij universiteti janë Shkëndije Ukaj, motra e deputetit të AAK-së, Shkumbin Demaliaj dhe Ardian Berisha, anëtar i kryesisë së AAK-së në Pejë.

Sipas statutit të universiteteve publike, Këshilli drejtues ka 9 anëtarë, 4 prej të cilëve emërohen nga ministri dhe 5 të tjerë zgjidhën nga senati.

Rreth tre muaj më parë, Likaj kishte thënë se ndryshimet po bëhen për të rritur kredibilitetin e universiteteve publike.

Ramë Likaj ishte përfshirë në një skandal edhe në vitin 2018, kur ishte denoncuar për plagjiatur në punime shkencore.

Sipas organizatës ORCA, Likaj i kishte përdorur plagjiaturat për t’u avancuar nga pozita e profesorit të asocuar në atë të profesorit të rregullt në UP. /Insajderi.org

LAJME TË TJERA