Gazetarët evropianë kërkojnë hetim për vrasjen e kolegëve të tyre në Kosovë

 Gazetarët evropianë kërkojnë hetim për vrasjen e kolegëve të tyre në Kosovë

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) ka miratuar një rezolutë për themelimin e një Komisioni hetimor për vrasjen e gazetarëve në Kosovë nga viti 1998 deri më 2005.

Kryetar i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë për Albanian Post se AGK-ja ka arritur që në momentin e fundit të ndryshojë pikën 2 të mocionit e cila thoshte se “Komisioni Ndërkombëtar hetues do të jetë përfaqësues i EFJ-së dhe të organizatave lokale të gazetarëve”.

Sipas Rexhes “aty ka mbetur vetëm që pjesë e komisionit të jenë ekspertë të fushës”.

AGK-ja ka abstenuar në votim. Për këtë qëndrim të AGK-së, Rexha ka thënë se është bërë për faktin që ky asociacion “konsideron se gazetarët nuk mund dhe nuk duhet të bëjnë punën e prokurorisë dhe drejtësisë, dhe se nuk i është dhënë kohë e mjaftueshme për të komentuar ose ndryshuar tekstin e mocionit në tërësi”.

Kryetari i AGK-së për Albanian Post ka treguar se ky asociacion avokon në vazhdimësi për “zbardhjen e vrasjeve së të gjithë gazetarëve të të gjitha etnive dhe pa marrë parasysh periudhën kur kanë ndodhur ato”, ka përfunduar Rexha.

Sipas Rexhes “Mocioni në Asamblenë e EFJ-së është përpiluar dhe dërguar nga UNS nga Serbia, dhe aty përfshihen emrat e së paku 15 gazetarëve serbë dhe shqiptarë, duke përfshirë edhe Enver Malokun e Xhemajl Mustafën”.Ndër gazetarët që konsiderohen si të vrarë, kidnapuar apo të zhdukur janë:Afrim Maliqi (gazeta Bujku) -u vra së bashku me Hyzri Tallën dhe Ilir Durmishin, më 2 dhjetor 1998 në një pritë të organizuar nga shërbimi sekret serb në afërsi të Qendrës së studentëve në Prishtinë.

Enver Maloku (Qendra Informative e Kosovës -QIK) – u vra në Prishtinë më 11 janar 1999 në Breg të Diellit në Prishtinë në një atentat pak metra prej banesës së tij, në sytë e gruas dhe të fëmijëve. Në komentet e kohës kur u vra, u tha me të drejtë se vrasja e Enver Malokut ishte vepër e qarqeve antishqiptare, të cilat kishin për qëllim të pengonin informimin në gjuhën shqipe, si edhe procesin për realizimin e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.

Shefki Popova (gazeta Rilindja)- u vra me 10 shtator 2000 në hyrje të banesës së tij në qytetin e Vushtrrisë nga persona ende të pa identifikuar.Xhemajl Mustafa – është vrarë më 23 nëntor të vitit 2000 në Prishtinë. Teksa po hynte në banesën e tij në lagjen “Dardania”, ishte qëlluar me armë zjarri nga dy persona.

Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku (gazeta Bota Sot)- u vranë në tetor të vitit 2001 nga një breshëri automatiku. Ndërsa në këtë atentat mbeti i plagosur Gani Geci.

Gjithashtu, gazetar dhe punonjës të mediave të tjerë, të vrarë apo të zhdukur janë:Krist Gegaj (Radio Televizioni i Prishtinës – RTP), Shaban Hoti (televizioni rus) Marjan Melonashi (Radio Prishtina, i zhdukur), Gjuro Sllavuj (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Ranko Pereniq (Radio Prishtina, i zhdukur më 1998), Lubomir Knezeviq (gazetar nga Jedistvo, i zhdukur në maj të vitit 1999), Millo Buleviq (gazetar i pavarur, i zhdukur) Aleksandar Simoviq, (Radio Kosova, i zhdukur në gusht të vitit 1999 – gjurmët e tij janë gjetur një vit më vonë), Momir Stokusha (fotoreporter, i vrarë në shtator, 1999 në Prishtinë).Nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave tjera penale që kryhen ndaj gazetarëve.Sipas Kryeprokurorisë së Shtetit, edhe sa i përket rasteve të vrasjeve apo zhdukjes së gazetarëve në periudhën e luftës, prokuroritë po punojnë në vazhdimësi në zbardhjen e atyre rasteve.

Për ato lëndë që kanë filluar hetimet, së pari ishin në kompetencë të misioni të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK-ut).Ato lëndë pastaj kanë kaluar në duart e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).Ndërsa, pas krejt atyre vitesh, kur edhe faktet janë vjetruar, lëndët kanë kaluar në duart e gjyqësorit të Kosovës.

Prokuroria e Kosovës thuhet se ka vullnet dhe angazhim që të shtohen përpjekjet në lidhje me hetimet e kamotshme për zbardhjen e vrasjeve dhe zhdukjes së gazetarëve në Kosovë.

Mirëpo, rezoluta e miratuar nga Asambleja e Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) për themelimin e një Komisioni hetimor për vrasjen e gazetarëve në Kosovë nga viti 1998 deri më 2005, vë në pah se për më shumë se dy dekada, askush nuk është mbajtur përgjegjës për 19 nga gjithsejtë 20 vrasje dhe rrëmbime të gazetarëve dhe punonjësve të mediave shqiptare dhe serbe (një vrasje është zgjidhur para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë).

LAJME TË TJERA