Gërvalla për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Më 20 maj do të mirëpritet kërkesa

 Gërvalla për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës: Më 20 maj do të mirëpritet kërkesa

Ministrja e Punëve të jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ndonëse nuk e ka qartësuar tërësisht, ka thënë se më 20 maj do të mirëpritet kërkesa e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian.

Ajo një gjë të tillë e ka bërë të ditur me anë të një konference për media, pa bërë të ditur nëse data e përmendur është dita kur aplikimi i Kosovës do t’i dorëzohet Komitetit të Ministrave përbrenda këtij institucioni, shkruan lajmi.net.

“Anëtarësimi në Këshillin e Evropës për vendin tonë do të jetë hapi më i rëndësishëm për vendin tonë. Jemi të përgatitur të mirë, sepse kushtet dhe normat po i aplikojmë që nga ditën e parë. Kosova është vendi i parë që në Kushtetutën e saj e ka integruar Këshillin Evropian. Jemi të lumtur që gëzojmë një përkrahje të gjerë politike brenda Këshillit Evropian për aplikimin tonë. Më datën 20 maj të këtij viti do ta mirëpresin kërkesën tonë në anëtarësim. Republika e Kosovës ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pjesë integrale e Evropës dhe Perëndimin”, ka deklaruar ajo.

“Në dritën e rrezikut që paraqet Rusia sot, shtetet si Suedia dhe Finlanda kanë shprehur gatishmërinë që të anëtarësohen sa më shpejt në NATO. Ne besojmë që tani është koha të marrim vendimet e duhura. Prandaj, edhe kemi vendosur që këtë vendim të rëndësishëm ta marrim tani. Nga anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës fitojnë të gjithë dhe nuk humbet askush. Fitojnë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Fiton edhe rajoni, shtetet e të cilit janë të gjitha anëtare të Këshillit Evropian”, ka deklaruar ndër të tjera ajo.

Nga Këshilli Evropian përgjatë ditës së djeshme, pa njoftuar për datë, kanë njoftuar se do ta dërgojnë kërkesën e Kosovës për aplikim në KE në Komitetin ministror të institucionit evropian.

LAJME TË TJERA