“Gjithmonë e kam çmuar”, Kurti ribashkohet në Qeveri me ish-këshilltarin Rashiq

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar ministër Nenad Rashiqin. Politikani serb këtë muaj u lirua nga akuzat të cilat e kishin larguar nga zyra e Kurtit në vitin 2020.

Nenad Rashiq është kthyer të punojë me Albin Kurtin. Kryeministri të enjten në mëngjes e emëroi politikanin serb në pozitën e ministër në Qeverinë e tij.

Nga sot, Rashiq është bërë ministër për Komunitete dhe Kthim, duke e pasuar në këtë dikaster kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili në fillim të këtij muaji dha dorëheqje.

Në vitin 2020, gjatë Qeverisë Kurti I, Rashiq ishte emëruar këshilltar i kryeministrit. Gjithashtu ishte drejtor i Zyrës së Kryeministrit për Komunitete.

Ai pati dhënë dorëheqje në prill të atij viti, pasi ndaj tij ishte ngritur një aktakuzë.

Kurti kishte dalë bashkë me Rashiqin në një konferencë për media.

“Unë besoj në pafajësinë e Nenad Rashiq. Bëhet fjalë për procese të vjetra sikurse regjimi i vjetër që nuk preferon të largohet nga sundimi në Kosovë. Dhe bëhet fjalë për aktakuza kur krerët e çështjeve nuk janë në aktakzua. Kemi gjithmonë persona që gjenden aty në rrethin tretë e të katërt dhe thelbi i problemit gjithnjë evitohet. Zoti Rashiq ma ka dorëzuar sot dorëheqjen e tij, unë e kam pranuar dorëhqjen e tij me keqardhje”, shprehej Kurti.

Rashiq, ndërkaq, deklaronte se i vinte keq që situata kishte shkuar deri aty, duke u deklaruar i pafajshëm.

Aktakuza që ishte ngrutur ndaj Rashiqit dhe të tjerëve, i ngarkonte ata për faljen e katër hidrocentraleve gjatë privatizimit të distribucionit të KEK-ut.

Gjykata Themelore e Prishtinës ditë më parë vebdosi t’i lirojë nga aktakuzat katër ish-ministrat e Qeverisë Thaçi II: Mimoza Kusari Lila, Nenad Rashiq, Besim Beqaj, Dardan Gashi si dhe Fllanza Hoxha e Arben Xhuka.

Rashiqin, Kurti thoshte se e ka çmuar gjithmonë.

“Gjithmonë e kam çmuar dhe vazhdoj ta çmoj për korrektësinë, dhe vendosmërinë e tij, i bindur që ka dhënë kontribut edhe për Kosovën dhe qytetarët serb”, shprehej ai. /Express