Gjykata e Apelit anulon vendimin e Gjykatës së Gjakovës, kthen rastin e dënimit të zyrtarëve, Arben Bakalli dhe Agron Gojani në rigjykim, gjejnë shkelje esenciale

 Gjykata e Apelit anulon vendimin e Gjykatës së Gjakovës, kthen rastin e dënimit të zyrtarëve, Arben Bakalli dhe Agron Gojani në rigjykim, gjejnë shkelje esenciale

Gjykata e Apelit ka marr vendim që të kthejë në rigjykim vendimin e Gjykatës Themelore ndaj ish drejtorit të Urbanizmit në Gjakovë, Arben Bakalli bashkë me arkitektin Agron Gojani të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bakalli e Gojani ishin shpallur fajtor më 30 gusht të këtij viti nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Bakalli në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit është dënuar nga Gjykata Themelore me 1 vit burg dhe 3 mijë euro gjobë ndërsa, ndërsa arkitektin dhe ish-bashkëpunëtorin profesional të kësaj Drejtorie Agron Gojanin e ka dënuar me 1 vit burg dhe 2 mijë euro gjobë.

Kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë kanë ushtruar ankesë avokatët e dy të dënuarve nga shkalla e parë. Avokatët mbrojtës i ish drejtorit të Urbanizmit Agron Gojanit, Meshar Selimaj dhe Ali Rexha kanë pretenduar se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale pasi është i paqartë, i pakuptueshëm në masë të duhur.

Në anën tjetër avokati i arkitektit Arben Bakalli, Fillip Skoro ka theksuar se diapozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm dhe se Gjykata nuk ka paraqitur asnjë fakt dhe rrethanë nga e cila varet zbatimi i drejtë i dënimit.

Në vendim thuhet se “Gjykata e Apelit e Kosovës me vëmendje ka shqyrtuar aktgjykim e shkallës së parë si dhe ankesën e mbrojtësve të akuzuarve dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, e që si e tillë ndikon edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”.

Gjykata e Apelit ka vlerësuar se në vendimin e shkallës së parë atij të Gjykatës Themelore në Gjakovë, vetëm janë listuar një numër i provave materiale ndërsa si prova personale ka administruar vetëm dy dëshmi të dëshmitarëve, mirëpo gjithmonë sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore nuk ka arsyetuar se çka vërtetojnë veç e veç dëshmitë e administruara.

“Provat materiale të administruara, gjykata e shkallës së parë vetëm i ka përmendur se çka përmbajnë por në fakt nuk i ka arsyetuar dhe te vlerësimi dhe analizimi e ka përshkruar ngjarjen pa specifikuar së pari veprimet individuale të secilit të akuzuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit që ka siguruar KALLXO.com.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, mbrojtja pretendon se në kohën kur kryetare e Komunës ishte Mimoza Kusari-Lila, Plani Urbanistik ka pësuar ndryshime nga ana e Kuvendit Komunal të Gjakovës me vendimin e datës 25.03.2014 dhe rreth rrotullim respektivisht revidimi i kompleksit “Orize”.

Me vendim e përmendur më lartë është shpallur interes publik në prona private përfshirë edhe revidimin e këtij kompleksi ku është krijuar hapësirë dhe është përfituar sipërfaqja prej 300 metra katrorë dhe pastaj duke respektuar mendimin e MMPH me shkresën e saj të datës 25.11.2015 duke marr për bazë planin zhvillimor urban si dhe shpalljen e interesit publik në prona private me fitimin e 300 metra katror dhe pas mbledhjes së kolegjiumit është dhënë leja e ndërtimit për investitorin Teuta Bakia.

Në këtë mënyrë sipas mbrojtjes, është respektuar në tërësi vendimi për shpalljen e interesit publik në këtë zonë e për të cilin gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar e sipas mbrojtjes kjo është vërtetuar edhe nga dëshmia e dëshmitares.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, më saktësisht ajo e Gjakovës në këtë rast, ka vërtetuar se të akuzuarit me nxjerrjen e vendimeve të kundërligjshme i kanë mundësuar përfitim apo dobi dikujt tjetër, apo ka përfituar për vete e i ka shkaktuar dëm dikujt tjetër.

Gjykata vë në pikëpyetje përfitimin e palës Teuta Bakia, për shkak të ndërtimit të objektit.

“Gjykata nuk e ka specifikuar se cilat prova konkrete kanë konstatuar se vendimet e marrura nga ana e të akuzuarve ishin të kundërligjshme dhe nuk ishin të bazuara në dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me ndërtimet apo tejkalimin e autorizimeve të tyre”, thuhet në vendim.

Një tjetër çështje e ngritur në vendimin e Gjykatës së Apelit është edhe paqartësia se si Gjykata Themelore në Gjakovë ka konstatuar se përfitimi i dobisë pasurore është i kundërligjshëm dhe çfarë e bën këtë përfitim element të veprës penale.

“Pastaj gjykata konstaton se përfitimin e dobisë pasurore e bën të kundërligjshëm fakti i keqpërdorimit të pozitës zyrtare nga të akuzuarit me tejkalimin e kompetencave të tyre”, thuhet në vendim.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, përmendet edhe se në rigjykim Gjykata Themelore në Gjakovë duhet të ftoj zyrtarin ligjor apo personelit të Komunës së Gjakovës, për të përcaktuar përgjegjësitë dhe obligimet e të akuzuarve në mënyrë që të vërtetohen veprimet e ndërmarra nga ana e të akuzuarve.

Kjo pasi që mbrojtja e Bakallit pretendon se veprimet e përmendura në aktakuzën e prokurorisë nuk kanë qenë kompetencën e klientit të tij.

Tutje në vendimin e Apelit thuhet edhe se në rigjykim, gjykata themelore pasi të pranoj ekspertizën duhet të dëgjoj edhe njëherë dëshmitarët dhe secilën provë ta administroj veç e veç dhe pastaj të arsyetoj secilën prej tyre në mënyrë që të tregojnë saktë gjendjen faktike dhe konkrete.

Gjykata e Apelit ka konstatuar se “gjykata (Themelore në Gjakovë) nuk ka bërë si duhet përshkrimin faktik në aktgjykimin e saj dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm”.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit pranë Drejtorisë për Urbanizëm, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakia.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t’u sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakia si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrën e tij duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakia, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

LAJME TË TJERA