Hoti tregon se a mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë para zgjedhjeve në SHBA

 Hoti tregon se a mund të arrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë para zgjedhjeve në SHBA

Kryeministri Avdullah Hoti ka folur përsëri për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen përfundimtare, që krahas pandemisë, është çështja më e komentuar në Kosovë.

Hoti ka thënë se nuk e di nëse marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të ndodhë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), ndërsa ka shtuar se dinamika e këtij procesi nuk varet nga Qeveria e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.

“Nuk e di. Nuk mund të them asnjë gjë për këtë. Atë që mund të siguroj është që pala kosovare, unë si kryeministër jam plotësisht i përgatitur, si qeveri jemi plotësisht të përgatitur, me një platformë të qartë me një qasje të qartë, strategji të qartë se si hyjmë në këtë proces të dialogut, se çfarë dëshirojmë të arrijmë në fund nga ky dialog dhe nevojën që të kemi gjithpërfshirje në proces. Tash, dinamika e dialogut dhe përfundimi i marrëveshjes sigurisht nuk varet nga ne”, tha Hoti për Evropën e Lirë.

Ai ka thënë se kompromisi nga ana e Kosovës në raport me Serbinë është pranimi për t’u ulur në tavolinën e dialogut. Kompromiset tjera, Hoti ka thënë se kanë përfunduar më 17 shkurt 2008 me Pakon e Ahtisarit.

“Unë besoj se kompromisi nga ana e Kosovës është pranimi për t’u ulur në tavolinën e dialogut, për të normalizuar marrëdhëniet me shtetin fqinj. Ky është kompromisi që po bëjmë. Të gjitha kompromiset që ne kemi bërë kanë përfunduar më 17 shkurt 2008, me Pakon e Ahtisarit, mbi të cilën është shpallur pavarësia e Kosovës dhe aranzhimet kushtetuese që sot i ka shteti i Kosovës në fuqi”, është shprehur Hoti.

LAJME TË TJERA