Hoti zotohet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

 Hoti zotohet ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Kryeministri Avdullah Hoti ka zgjedhur Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për ta shpalosur kornizën dialoguese për fazën e ardhshme të negociatave me Serbinë.

Hoti shkoi në akademi një ditë pasi ky institucion, si rrallëherë, nxori një publikim për të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit, ku dha edhe rekomandime për lidershipin, se si t’i qaset këtij procesi në të ardhmen, raporton KOHA.

Sipas Hotit, korniza dialoguese fillimisht është përshtatur brenda koalicionit dhe me të e ka njoftuar edhe opozitën, por që vetëm një pjesë e saj ka shfaqur gatishmëri për bashkëpunim.

Ai ka thënë se do të udhëhiqet nga tri parime kryesore, e që janë: integriteti territorial është i panegociueshëm; marrëveshja duhet të garantojë që organizimi kushtetues i Kosovës nuk negociohet; dhe se marrëveshja duhet të jetë në frymën e aktit më të lartë juridik.

“Nuk ka kuptim asnjë marrëveshje e cila nuk siguron njohje reciproke. Jo njohje të modelit të dy Gjermanive”, ka thënë ndër të tjera Hoti.

Shefi i ekzekutivit ka propozuar themelimin e një forumi me liderët e të gjitha partive politike, ndërkaq brenda Zyrës së Kryeministrit do të formohet këshilli i ekspertëve. E Kuvendit do t’i propozojë themelimin e një komisioni parlamentar për dialog, të cilin duhet ta udhëheqë opozita.

Sa i përket rolit të presidentit, kryeministri ka insistuar se Thaçi duhet të mbetet brenda kompetencave që ia përshkruan Kushtetuta dhe se Qeveria është udhëheqëse e këtij procesi, ashtu siç e obligon edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.

Por, kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se ajo që i ka munguar deri më tani dialogut është paqëndrueshmëria e faktorit politik.

“Nuk e kam pasur të qartë as sot nuk e kam të qartë se nga e kanë marrë këtë të drejtë politikanët e Kosovës…të bëjnë kompromise të marrin e jepin në emër të Kosovës. Nga kushtetuta jo se jo, as nga vota e popullit jo se jo”, ka thënë Kraja.

Kraja e ka kualifikuar si papërgjegjësi të madhe qasjen që dikush dëshiron të zhvillojë dialog me ndërmjetësimin e SHBA-së, e dikush tjetër me ndërmjetësimin e BE-së.

Akademia ka publikuar të martën botimin mbi dialogun shtetëror Kosovë-Serbi, që për autorë ka Arsim Bajramin dhe Gjylieta Mushkolajn.

Bajrami, i cili është anëtar i Akademisë, e ka këshilluar Hotin që t’i rikthehet zbatimit të marrëveshjes që kishte çuar në përplasje të mëdha.

“Personalisht iu këshilloj që ta merrni këtë çështjen e Asociacionit si një detyrë që duhet ta kryeni”, ka thënë Bajrami.

E Hoti ka konfirmuar se do t’i rikthehet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Unë besoj që të tregojmë seriozitetin shtetëror kur i respektojmë marrëveshjet që i kemi nënshkruar dhe ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Hoti.

Në vitin 2015, Asociacioni ishte shpallur antikushtetues në të shtatë kapitujt e tij. Megjithatë, Kushtetuesja ka sugjeruar që ky mekanizëm të themelohet ashtu siç e parasheh marrëveshja e 19 prillit, e vitit 2013.

LAJME TË TJERA