Idriz Vehapi e bën për “pesë pare” Latifin: Për t’u hapur tregu, duhet leje nga autoritetet shtetërore

 Idriz Vehapi e bën për “pesë pare” Latifin: Për t’u hapur tregu, duhet leje nga autoritetet shtetërore

Ish-kreu i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi e ka thumbuar kryetarin aktual të komunës, Smajl Latifin, duke thënë se nuk mjafton vetëm solidarizimi me fermerët, por se fillimisht duhet kërkuar leje prej autoriteteve.

Ish-ministri i Bujqësisë përmes një postimi në faqen zyrtare të rrjetit social “Facebook” ka thënë se ai gjithmonë i ka përkrahur bujqit, por se nuk ka nevojë për lajme në kohë pandemie.

Më poshtë postimi i plotë.

Politikë me hallexhinj! Fillimisht, dua të theksoj se fuqishëm i përkrahi bujqit dhe kërkesat e tyre. Kam qenë gjithmonë dhe jam në anën e tyre për kërkesat, hallet dhe gjithçka që është në favor të tyre. Por, ata që duan të prodhojnë lajme në kohë pandemie, kur ende janë në fuqi masa të shumta, është dashur së pari të kërkojnë dhe pajisen me leje nga autoritetet nëse duan të hapet tregu në Rahovec. Nuk mjafton me dalë me fermerët, e me u solidarizu me hallin e tyre. Nuk mjafton as me ba zhurmë pastaj, kinse dikush po ka inat dhe po i pengon. Thjeshtë, janë do procedura që duhet të ndiqen patjetër, duke filluar nga kërkesa për dhënien e lejes për hapjen e tregut. Kjo është A-ja e kësaj pune! Por, dikush ka zgjedhë me ba fushatë politike, duke i mashtruar njerëzit që e kanë punu tokën dhe tash janë në hall për shitjen e produkteve të veta. Kjo është e pafalshme, aq më tepër me i qitë në rrugë bujqit, pa pasur lejen e duhur, kur ende është e ndaluar lëvizja dhe kur epilogu dihet!

LAJME TË TJERA