Inaugurohet ngrohtorja me biomasë në Gjakovë, e para e këtij lloji në Kosovë dhe rajon

 Inaugurohet ngrohtorja me biomasë në Gjakovë, e para e këtij lloji në Kosovë dhe rajon

Gjakova nga sot do ta ketë ngrohtoren e parë me biomasë, e vetmja e këtij lloji në Kosovë dhe rajon. Kjo falë financimit të Bashkimit Evropian, Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Gjakovës, të cilët kanë bashkëpunuar që të jetësohet ky projekt gjigant, vlera e të cilit është 15 milionë euro.

Sipas drejtoreshës së ngrohtores Albana Dulatahu Skivjani është e rëndësishme që nga ky bashkëpunim puna nuk do të ndalet dhe projekti do të vazhdojë në pastrimin e pyjeve dhe sigurimin e lëndëve djegëse për ngrohtoren.

Ambasadori i BE –së në Kosovë Tomas Szunyong, vuri theksin tek puna e mirë që është bërë me këtë projekt, nga e cila përfitojnë shumë qytetarë të Gjakovës.

Rreth 40% e banorëve të Gjakovës do të përfitojnë nga ngrohja me kualitet të lartë dhe ndotje të ulët. Kjo është e para e këtij lloji në Kosovë, me teknologji efiqente të lartë të bazuar në biomasë.

Impakti i projektit lidhet me tri fusha: kualitet më i lartë i ajrit në qytet, efiqiencë më e lartë të sistemit të ngrohjes, dhe ngrohje e sigurt dhe e përballueshme për njerëzit.

Zgjidhja e cilësisë së ngrohjes ndikon në cilësinë e jetesës si dhe ambientin, kështu tha Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, e cila shtoi se shpreson që shumë shpejt kjo ngrohtore të arrijë të bëhet e pavarur financiarisht dhe të jetë shembull për komunat tjera.

Ndërsa kryetari i komunës Ardian Gjini në fjalën e tij tha se Gjakova prin në raport me energjinë e ripërtrishme, teksa shtoi se ndjehet i lumtur që kanë arritur deri në këtë fazë me ngrohtoren e re e cila pritet të arrijë kulmin me prodhimin e enegjisë elektrike.

Krerët institucional më pas vazhduan vizitën në ambientet e brendshme të ngrohtores, ku edhe u njoftuan nga afër me sistemin aktual të ngrohjes nga profesionistët dhe inxhinierët e kësaj fushe. Funksionalizimi i saj do të krijojë lehtësira për banorët e komunës së Gjakovës, të cilët janë përfituesit më të mëdhjenjë të këtij projekti u tha me këtë rast.

LAJME TË TJERA