Isa Mustafa: I kemi hequr vijat e kuqe me PDK-në!

 Isa Mustafa: I kemi hequr vijat e kuqe me PDK-në!

Ndonëse nuk është biseduar për një qeveri gjithëpërfshirëse, Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë ka hequr të gjitha vijat e kuqe për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se vijat e kuqe ndaj PDK-së u hoqën për shkak të vështirësive për të bërë zgjidhje.Mustafa ka folur edhe për aktakuzat e ngritura nga Gjykata Specialja e për çka tashmë ka nisur edhe arrestimet e para.

Ai tregoi se pse ndërroi qëndrim rreth mini-shengenit, ku theksoi se është duke bërë kujdes.“Sa i përket disa elementeve të mini-shengenit, unë vazhdoj të jemi i kujdesshëm aty që në implementim të mini-shengenit.

Ne mos të futemi që ta institucionalizojmë mini-shengenin si një formë organizative të këtyre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në këtë rast nuk është akoma Mali i Zi dhe Bosnja por janë vendet e tjera, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Kosova veçmas kur kemi të bëjmë me tregun e përbashkët me të vendeve të Ballkanit Perëndimor sepse unë nuk e kam pranuar më përpara që ne ta kemi një treg të veçantë, por që ne jemi pjesë e tregut unik të BE. Ndërkaq sa i përket lehtësimit të mënyrës së të bërit biznes, të qarkullimit të mallrave, të njerëzve mendoj që neve na përshtatet dhe na bënë mirë.

Themi si koncept i zonës së përbashkët ekonomike që kemi pas diskutuar në procesin e Berlinit e që tash ia kanë vënë më emrin si mini-shengen”, tha Mustafa.Mustafa thotë se marrëveshjen e nënshkruar në Uashington më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë e ku si pikë ishte edhe mini-shengeni u pranua shkak i besimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Po ashtu nuk mund të pajtohemi me unionin doganor sepse edhe ajo na bie në një situatë tjetër të bashkëpunimit me vendet e tjera sepse edhe ne duhet ta bartim një pjesë të përgjegjësive të institucioneve të Kosovë në vendet e tjera dhe këtë nuk mund ta bëjë dhe as nuk ka nevojë ta bëjë askush tjetër. Për pjesën tjetër është pranuar dhe e ka thënë edhe kryeministri edhe unë mendoj që ashtu është dhe e kemi pranuar në Uashington për shkak se kanë ndërmjetësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ne kemi pas besim në ta dhe mund ta them lirisht se unë nuk e kam pranuar sa e kemi diskutuar këtë çështje themi në procesin e Berlinit sepse nuk është shtruar në këtë formë dhe takimeve që janë zhvilluar ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për jetësimin e kësaj”, theksoi ai.Mustafa po ashtu komentoi edhe qëndrimet e Vjosa Osmanit kundër LDK-së, derisa tregon nëse ka ende vende për atë në partinë që Mustafa udhëheq.Derisa ka folur për propozim aktakuzat ndaj të parit të vendit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Mustafa thotë se kjo mund t’i sjellë para një situate të rëndë e ku thekson se nuk duhet të mendohet për interesa partiake por për ato të vendit.Mustafa ka shtuar se ka besim në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Meqenëse nuk kemi biseduar nuk mund të them pranohet apo jo, por ajo çka unë kam thënë publikisht, është se vijat e kuqe ne të cilat i kemi vënë përpara ato vija të kuqe tani duhet t’i heqim edhe në situatën e tanishme por edhe kur të vijmë në zgjedhjet e ardhshme për arsye se shumë vështirë po mund të bëjmë zgjidhje, duke izoluar ose duke dhënë ndalesa të bashkëpunimit në disa subjekte politik, sidomos tani situata e cila u krijua para një kohe me paralajmërimin e aktakuzave kundër presidentit të vendit dhe kryetarit të PDK-së, na sjellë në një situatë të rëndë ku ne duhet më shumë të mendojmë për interesa të vendit sesa për të lidhemi vetëm për interesa partiake.

Unë nuk dëshiroj t’i komentoj ato sepse duhet të mbesin çështje të drejtësisë. E vetmja gjë që mund të them është se ne duhet të kemi besim në drejtësi dhe të apelojmë që institucionet e drejtësisë ta bëjnë në mënyrë profesionale, në mënyrë të pandikuar dhe që ta vënë drejtësinë në vend. Unë kam besim të madh në luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në asnjë rast nuk e shoh që gjykata mund ta njollosë përmes veprimeve të saj këtë luftë”, tha Mustafa.Ani pse Vetëvendosje ka kërkuar mbështetjen e PDK-së për mocionin ndaj Qeverisë Hoti, Mustafa ka thënë nuk sheh ndonjë përkrahje ndaj nismës për rrëzimin e Qeverisë.

“Nuk mund të flas në emër të PDK-së, kam parë deklarata të PDK-së që kanë thënë se nuk japin nënshkrimet për mocion sepse nuk kanë dhënë nënshkrimet as ne kur e kemi bërë mocionin për rrëzimin e Qeverisë Kurti. […] Shtohet pyetja a ka nevojë të shkohet në zgjedhje dhe të humbet koncentrimi për luftimin e pandemisë dhe po ashtu të ndërpritet dialogu i cili ka filluar dhe i cili ka shanse që të përmbyllet dhe përfundimisht unë nuk shoh ndonjë përkrahjeje që tani për tani mund ta ketë mocioni i Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Mustafa.Mustafa ka mohuar të ketë pasur luhatje të koalicionit LDK-AAK e Nisma Socialdemokrate.“Nuk mund të flas për luhatje sepse nuk kemi pas asnjë informim apo deklaratë që më janë bërë mua si udhëheqës i këtij koalicioni, sepse jemi partia më e madhe në këtë koalicion që dikush po tërhiqet, ka pas vërejtje, pakënaqësi të cilat janë shprehur publikisht, mirëpo këto janë çështje të cilat mënyrë natyrshme duhet t’i marrim sepse edhe pakënaqësisë, edhe vërejtjet janë pjesë të jetës demokratike.

Ne praktikojmë të konsultohemi me zotin Haradinaj e Limaj por edhe me Pacollin sepse ai edhe pse nuk është drejtpërdrejt i kyçur në Qeveri, ai e ka përkrahur këtë qeveri dhe meriton që të konsultohet dhe kemi praktikuar që të kemi lidhje me të për disa çështje si dhe subjekte të tjera që përfaqësojnë partitë joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Jam i bindur që mospajtimet, ndarjet janë shumë më të vogla se sa ato nganjëherë prezantohen dhe shihen në opinion”, deklaroi Mustafa për KosovaPress.Kohë më parë edhe publikisht kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të jetë kandidat për president kur do të vijë koha e zgjedhjes për këtë post.Por, Mustafa ka thënë se nuk janë marrë vesh për poste dhe se për këtë mbetët të flitet më pas.“Kur e kemi bërë koalicionin ne nuk jemi marrë vesh, ose nuk kemi diskutuar fare për postin e presidentit.

Të vetëdijshëm se me votat të cilat ne i kemi llogaritur që do të kemi si koalicion qeverisës nuk mund ta bëjmë presidentin[…]Ne si LDK nuk kemi pretendime që ta kemi edhe pozitën e kryeministrit dhe atë të presidentit, por vlerësojmë që kjo çështje duhet të diskutohet më gjerë edhe me partitë e koalicionit, edhe me PDK-në, edhe me Vetëvendosjen, sepse pa njërën prej këtyre dy partive politike nuk mund të zgjidhet presidenti. Nuk e di se cila prej tyre ka pretendime për presidentin më shumë, kush ka kandidatë që do t’i propozojë por po ashtu e di që kjo problemi nuk mund të zgjidhet vetëm me kandidatura por do të zgjidhet në një tryezë ku subjektet politike do të flasin dhe do ta trajtojnë në mënyrë të thellë këtë çështje ndërmjet vete. Ne nuk kemi asnjë arsye të themi se po tërhiqemi nga posti i kryeministrit sepse dikush ka ambicie të bëhet president”, thekson Mustafa.

Mustafa gjatë intervistës ka folur edhe për qëndrimet e kryeparlamentares Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së.Mustafa derisa tha se e ardhmja e Osmanit në LDK varet nga ajo, theksoi se nuk e kishte pritur që ajo mos ta votojë Qeverinë Hoti.“Në qoftë se dëshiron më tutje të vazhdoj në LDK e ka mundësinë e hapur të vazhdoj[…]Nuk kemi pritur që zonja Osmani që ne e kemi përkrahur, e kemi vënë në krye të listës së deputetëve në fushatë, ja kemi dhënë besimi n që të jetë kandidate për kryeministre të vendit pasi që nuk kemi fituar si LDK, unë vetë kam insistuar që ajo të marrë vendin e kryetares së Kuvendit dhe natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje hoqi dorë që ta mbajë atë pozitë dhe ta marrim ne. Mendoj që ne çdo gjë e kemi bërë, dhe çdo gjë e kemi bërë në mënyrë shumë parimore dhe e kemi përkrahur maksimalisht.

Tani në qoftë se zonja Osmani ka menduar që ka më shumë të drejtë Vetëvendosje sesa LDK është çështje e saj. Por ne kemi dallime me Vetëvendosje dhe këto dallime kanë bërë që të prishim koalicionin se të prishet koalicioni për shkak veprimeve të tyre edhe sa i përket bashkëpunimit me SHBA dhe shkarkimit ministrit tonë. Vetë e kanë pru situatën që të bie Qeveria dhe në këtë situatë ne nuk jemi pajtuar me kundërshtimin publik që ka bërë zonja Osmani qoftë për prishje të koalicionit, qoftë me mocionin në Kuvend, qoftë me votimin e Qeverisë Hoti që është qeveri e LDK-së pjesë e së cilës është Osmani”, tha ai.

LAJME TË TJERA