Keqkuptime për shtesën prej 100 eurosh, disa studentë ankohen që s’i kanë marrë ende

Një pjesë e pensionistëve kanë keqkuptuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ua ndarë nga 100 euro për muajin tetor. Ata kanë pritur që nga 100 euro do t’i marrin edhe për dy muaj tjerë. Ndërkohë, edhe disa studentë janë ankuar se ende s’i kanë marrë shtesat e premtuara, ani pse Ministri Murati tha para tri ditësh se paratë u kanë dalë në xhirollogari.

Në fund të shtatorit të këtij viti, Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dolën në konferencë të përbashkët për të prezantuar masa të reja në kuadër të Pakos Ekonomike për përballje me inflacionin.

Me këto masa përfshihej subvencionimi i faturës së energjisë elektrike për ata që kursejnë rrymën, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorët e sektorit privat që marrin pagë deri në 1 mijë euro, ndarja e shtesave për punonjësit që kanë pagë deri në 1 mijë euro në ndërmarrjet publike, si dhe shtesa për pensionistët, familjet me asistencë dhe studentët.

Për pensionistët dhe familjet sociale që marrin deri në 500 euro, janë ndarë nga 100 euro për muajin tetor. Këto shtesa, u janë ekzekutuar atyre, por disa prej tyre kanë keqkuptuar, duke menduar se shtesat do t’u dalin për tre muaj.

Në vendimin e Qeverisë, qartazi shkruan se kjo mbështetje është e njëhershme.

“Në kuadër të masës 3.2 – Mbështetja për pensionistët dhe familjet me asistencë sociale, të gjithë përfituesit e skemave pensionale dhe sociale, për të cilët vlera e pensioneve aktuale që pranojnë brenda muajit nuk kalon shumë pesëqind euro (500 €), e që kualifikohen për përfitim, mbështeten me shumën e njëhershme prej njëqind euro (100€) për muajin Tetor të vitit 2022”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Se shtesa prej 100 euro vlen vetëm për muajin tetor, e kishte përsëritur edhe Kryeministri Albin Kurti, kur kishte njoftuar për vendimet që kishin marrë në mbledhjen e 100’të.

“Ndamë mjetet për mbështetjen me shumë të njëhershme prej 100 euro për pensionistët”, kishte shkruar Kurti.

Në kuadër të kësaj Pakoje, Qeveria kishte paraparë edhe ndarjen e shtesave prej 100 euro për studentët, për muajin nëntor.

“Në kuadër të masës 3.6 – Mbështetja e likuiditetit familjar, të gjithë studentët aktive dhe të rregullt, që kualifikohen për përfitim dhe që janë të regjistruar në universitetet publike dhe private në Republikën e Kosovës, mbështeten me shumën e njëhershme prej njëqind euro (100 €) në muajin Nëntor të vitit 2022”, thuhet në vendim.

Para tri ditësh, Ministri Murati ka thënë se këto shtesa janë ekzekutuar për 50 mijë e 778 studentë.

Ai ka paralajmëruar edhe mbështetje tjetër për studentët.

“50,778 studentë sot pranojnë mbështetjen e njëhershme prej 100 euro në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin. Mbështetja për studentët nuk mbaron me kaq. Studimet i kemi bërë falas, kurse sivjet kemi rritur edhe numrin e bursave në 2 mijë për ata që studiojnë në STEM, nga 1,000 sa ishte vitin e kaluar. Qeveria për studentët!”, shkroi Murati.

Por, në këtë postim të Muratit, shumë studentë janë ankuar se ende s’u kanë dalë mjetet në xhirollogari.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të MFPT’së për të marrë vesh pse s’janë ekzekutuar mjetet për disa studentë dhe kur do t’i marrin këto shtesa, por si zakonisht s’ka marrë përgjigje.