Kështu duhet të aplikoni për t’i tërhequr kursimet nga Trusti!

 Kështu duhet të aplikoni për t’i tërhequr kursimet nga Trusti!

Kuvendi i Kosovës ka miratuar ligjin për Rimekëmbje Ekonomike, i cili rrjedhimisht mundëson tërheqjen e 10% të kursimeve në Fondin Pensonal të Kursimeve.

02PRESS ka siguruar një kopje të ligjit për Rimekëmbje Ekonomike, ku specifikohet mënyra e aplikimit për tërheqjen e kursimeve nga Trusti.

“Me qëllim të tërheqjes së mjeteve sipas paragrafit 1 të këtij neni, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër (4) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Çdo aplikacion që merr FKPK në formë elektronike e trajton atë si të mirëqenë dhe zyrtare, dhe shqyrton kërkesën sipas dispozitave të këtij neni. Procedura e aplikimit zhvillohet sipas procedurave të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi për procedurën e përgjithshme administrative.

Aplikacioni sipas paragrafit 2 të këtij neni është i kushtëzuar me pëlqimin e aplikantit për përpunimin e të dhënave të tij, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale”, thuhet në këtë ligj.

Me kërkesë të FKPK-së, BQK-ja, Agjencia e Regjistrimit Civil, Administrata Tatimore e Kosovës, Thesari i Kosovës dhe institucionet tjera relevante, si dhe bankat komerciale të licencuara nga BQK ndajnë të dhënat e nevojshme të pjesëmarrësve, me qëllim të shqyrtimit të kërkesave.

“Mjetet nga kërkesat e aprovuara nga FKPK transferohen në llogaritë bankare të përfituesve në bankat komerciale të licencuara nga BQK-ja dhe tërheqja e mjeteve bëhet vetëm nëpërmjet llogarive bankare.

Pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës së njësive që ka çdo aplikant në llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës”, thuhet më tej në ligj.

LAJME TË TJERA