Klosi: Brigada e FARK-ut u dorëzua në Koshare, nuk e kishin në mendje luftën

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror të Shqipërisë (SHISH), Fatos Klosi i ftuar në emisionin “FAKTE me Adnan Merovcin” në KlanKosova, ka komentuar ushtrinë e atëhershme të Qeverisë së Kosovës – FARK-un.

Ai tha se ushtarët e saj nuk tentuan të bënin luftë. Ndër të tjera ai gjithashtu u shpreh se Tiranës nuk i konvenonte që ushtarët e FARK-ut shëtisnin me uniformat e UÇK-së.

“Po të flasim për luftën që tentuan ta bëjnë ata, unë ta them që nuk tentuan me e bë luftën. E kisha shumë të qartë që ishte një ushtri e Qeverisë së Kosovës që quhej FARK dhe që kishte 3-4 baza në Shqipëri, të cilët meqenëse lufta filloi nën emrin e UÇK-së, mbanin uniformat e UÇK-së, të cilët me uniforma kishin qejf me dalë nëpër Tiranë, dhe natyrisht neve në atë periudhë nuk na leverdiste hiç që ata të dilnin me uniformat e UÇK-së nëpër Tiranë. Na bënte përshtypje që ata kishin më shumë oficerë se sa ushtarë”, tha ai.

Klosi poashtu tha se iu bënte përshtypje që disa herë i kishin kërkuar që t’i ndihmojnë FARK-ut dhe që sipas tij ata iu kishin përgjigjur duke i thënë se ishin në faza përgatitore. Me krejt këtë, Klosi doli në një konkluzion se FARK-u nuk ishte për një luftë konkrete, duke thënë se në Koshare ata u dorëzuan.

“Ata po përgatiteshin për luftë, por asnjëherë nuk e kishin në mendje. Pastaj, nëse e mbani në mend ngjarja në Koshare. U futën më në fund, e kaluan kufirin si e kaluan, dhe pas tre ditësh u dorëzuan. Një brigadë e tërë i dorëzoi armët. Brigada e FARK-ut që u fut, nuk ia di emrin, se mbaj në mend, por kjo është fakt. Ka qenë komandat Tahir Zemaj i asaj brigade”, u shpreh ai.