Konjufca i quan reforma kryesore të qeverisjes reduktimin e ministrive dhe shpenzimeve

 Konjufca i quan reforma kryesore të qeverisjes reduktimin e ministrive dhe shpenzimeve

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, në 100-ditëshin e punës së Qeverisë Kurti ka thënë se reduktimi i numrit të ministrive dhe reduktimi i shpenzimeve nga qeveritarët ishin reformat kryesore që ka bërë qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Reformat që i kishim premtuar filluan të realizohen. Ishte fillim i mbarë sepse ishin pritur me vite të tëra nga qytetarët. Duke nisur nga kjo për një konceptim të ri të shtetit. Qoftë edhe për një votë në Kuvend ka ndodhur se është krijuar një ministri e re. Në vend të asaj që të kuptohej si instrument i shërbimit ishte kthyer në monedhë kusuritjesh mes liderëve për krijimin e qeverive. VV-ja erdhi me koncept të ri për reduktim masiv të Qeverisë.

E kemi realizuar. Patëm ardhur tek numri 15, por kur ke parasysh se është reduktim rreth 30 për qind i masës së përgjithshme është veprim për t’u përshëndetur. VV-ja beson se përmes këtij kontributi ka sjellë trashëgimi të vlefshme sa i përket dinjitetit e integritetit të institucioneve tona publike që duhet të shihen si instrumente për shërbime e jo se dikush po mbetet pa post. Shpresojmë që kjo traditë të ruhet, e të mos kemi rikthim në gjendjen e keqe të kaluar ku numri i ministrive pati shkuar në 21.

Brenda secilit sektor ka pasur reforma të nevojshme”, ka thënë ai në Interaktiv.
Sipas tij, pos konceptit të qeverisjes, pika tjetër kryesore me të cilën VV-ja solli reformë në vend ishte ulja e pagave të qeveritarëve.

“E dyta është raporti i të ardhurave të pushtetarëve në raport me rrogën mesatare në Kosovë. E dini se në sektorin publik rrogat sillen rreth 600 euro, e në sektorin privat janë shqetësuese. Ka shkëputje dramatike. Rroga mesatare në Kosovë s’mund të dalë më shumë se 400 e ca euro. Kështu që kryeministri e Qeveria panë arsye të ketë reduktim të pagave meqenëse në mandatin e kaluar pangopësia e qeverisë, me në krye ish-kryeministrin ishte e pashembullt, pasi ishte propozimi për rrogë të kryeministrit rreth 3000 euro kur paga mesatare ishte rreth 400 euro.

Gjithkund sillet proporcioni 1 me 3, e te ne ishte 1 me 8”, ka thënë tutje Konjufca.Sipas tij, pika tjera reformuese ishte ndalimi i degradimit të ndërmarrjeve publike e ndalimi i keqpërdorimeve në këto ndërmarrje.

LAJME TË TJERA