Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova” e pranon se ka deklaruar rrejshëm pasurinë

 Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova” e pranon se ka deklaruar rrejshëm pasurinë

Kryeshefi ekzekutiv i KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, është deklaruar fajtor për raportim të rremë të pasurisë, në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

I njëjti deklaroi se e pranon fajësinë me vullnet dhe pa presion për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Avokati i të akuzuarit i propozoi gjykatës që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim me gjobë ose nëse shqiptohet dënimi me burgim, i njëjti më pas t’i zëvendësohet me gjobë.

Prokurori Nazmi Krasniqi nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Më pas, gjykatësja Ilirjana Hoti e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, derisa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar që të bëhet më 8 tetor, në ora 14:30.

Ndryshe, në fund të seancës është paraqitur përfaqësuesja e Agjensionit Kundër Korrupsion, Lindita Ademi.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ismet Ahmeti po akuzohet se më 22.03.2019 në Gjakovë, nuk i kishte paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratën për raportimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

Në këtë aktakuzë, thuhet se ai këtë e ka bërë në atë mënyre që në cilësi të zyrtarit të lartë publik/Kryeshef Ekzekutiv i KRU “Gjakova”, ka vepruar në kundërshtim me nenin 8 parg.l të Ligjit nr.04/L-050 për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë, ashtu që në formularin për deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për periudhën nga 1 janari deri më 31 dhjetor to vitit 2018, ka paraqitur raport të rremë të pasurisë duke mos shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme nga KRU “Gjakova”, respektivisht ka paraqitur pagën mujore 1.290.00 euro (1.290×12=15.480), ndërsa sipas të dhënave të siguruara dhe të vërtetuara nga “KRU Gjakova” me datë 08,08.2019, shuma totale e të hyrave rezulton të jetë gjithsej shuma neto prej 18.933.41 euro.

Me këto veprime po akuzohet se ka kryer veprën penale “mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 para.2 të KPRK-së. /GazetaSinjali/

LAJME TË TJERA