Kush e udhëheq dialogun? Kushtetuta i jep të drejtë presidentit, kryeministri ka rol dytësor

 Kush e udhëheq dialogun? Kushtetuta i jep të drejtë presidentit, kryeministri ka rol dytësor

Me formimin e qeverisë së re dhe intensifikimit të përpjekjeve për rifillimin e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë edhe njëherë është riaktualizuar tema e çështjes së përfaqësuesit të Kosovës në dialog.

Kryeministri apo presidenti? Herë njëri e her tjetri, vazhdimisht edhe në të kaluarën, por edhe tani po diskutohet e po shoshitet se kush i gëzon kompetencat për të udhëhequr dialogun nga pala kosovare, shkruan lajmi.net.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot ka deklaruar se dialogun do të udhëheqë ai si kryeministër i Kosovës dhe ka konstatuar se ai i gëzon kompetencat kushtetuese për këtë

“Dialogun e udhëheqë kryeministri vendit, nuk do të bëj kurrfarë gare me askënd sepse kompetencat i kam të qarta dhe janë betonuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Hoti.

Në anën tjetër, në kompetencat e udhëheqjes së dialogut insiston edhe presidenti Thaçi, i cili shprehet se me punët e jashtme të një vendi merret presidenti i atij vendi.

Ai sot gjatë një fjale për media është shprehur se kushdo që e lexon Kushtetutën e kupton se kompetencat për dialogun i takojnë presidentit.

“Roli i presidentit të vendit është ai që ka qenë gjithmonë. Presidenti i vendit i udhëheq politikat e brendshme dhe të jashtme dhe ai që e lexon Kushtetutën dhe e njeh Kushtetutën e di këtë rol dhe hierarkia e institucioneve të Kosovës është e qartë”, tha Thaçi.

E lidhur me këtë çështje, lajmi.net ka biseduar me ekspertin e Kushtetutës, Riza Smaka i cili tha se deputetët po e ngrisin gabim këtë çështje.

Smaka për lajmi.net tha se Kushtetuta shprehimisht e thotë se presidenti si shef i shtetit dhe së këndejmi udhëheq me politikën e jashtme.

Ai më tutje ka sqaruar se sipas Kushtetutës, kryeministri konsultohet me presidentin lidhur me politikën e jashtme, dhe Smaka shprehet se kryeministri: “është i subordinuar, është personi sekondar ndaj presidentit”.

“Është për t’u habitur se si shumë deputetë e ngrisin këtë çështje dhe kërkojnë që kryeministri të jetë personi që e udhëheq dialogun dhe e përfaqëson Kosovën, përderisa në Kushtetutë është krejtësisht ndryshe, në Kushtetutë shkruan shprehimisht: Presidenti është shef i shtetit, presidenti e përfaqëson shtetin, presidenti e udhëheq politikën e jashtme, kryeministri e konsulton presidentin për politikën e jashtme, do të thotë e konsulton, është i subordinuar, është personi sekondar ndaj presidentit”, tha Smaka për lajmi.net.

Smaka gjithashtu tha se Hoti nuk ka çfarë t’i transferojë (i referohet kompetencave), presidentit, kur, Kushtetuta thotë ndryshe.

“As Haradinaj nuk kishte e as Hoti nuk ka çfarë t’i transferojnë Thaçit, përderisa nuk kanë autorizime si kryeministra, presidenti është shefi i shtetit dhe i udhëheq politikat e jashtme dhe kjo është çështje e politikave të jashtme, Serbia, marrëdhëniet, dialogu, telashet, problemet e të tjera.”, konstaton Smaka.

Krejt në fund, Smaka thotë se sipas dispozitave kushtetuese, presidenti udhëheq me politikën e jashtme dhe jo kryeministri.

“Unë nuk e vë theksin tek personi, por tek presidenti dhe kryeministri si institucione. Nuk është fare e diskutueshme, unë kam shkruar disa herë me përgjegjësi dhe kam cituar dispozitat Kushtetuese, praktikat e jashtme në shtete të tjera, kjo është.”, tha Smaka.

Në anën tjetër, pas ardhjes në krye të ekzekutivit, Hoti ka hequr reciprocitetin dhe kështu i ka “ndezur” motorët e Bashkimit Evropian dhe palëve të përfshira në dialog për rifillimin e procesit – të bllokuar qysh nga vendosja e taksës 100 për qind.

I Dërguari Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak javën e ardhshme pritet të realizojë vizitë në Kosovë ku edhe mendohet se do të sjellë korniza të qarta për dialogun.

E në anën tjetër, edhe I Dërguari Special i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell është mjaft aktiv në këtë proces.

Ende nuk ka një datë të qartë ose kohë optimale eventuale për rifillmin e dialogut – por ditëve të fundit është vërejtur një aktivizim i palëve në këtë drejtim.

LAJME TË TJERA