Kuvendi me 77 vota pro, miraton vendimin e qeverisë që 7 pjesëtarë të FSK-së të dërgohen me mision jashtë vendit

Kuvendi i Kosovës, me 77 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e kontingjentit të FSK-së në një numër prej 7 pjesëtarëve jashtë vendit, përkatësisht dërgimin në operacionin për mbështetjen e paqes sipas marrëveshjes implementuese lidhur me atashimin e personelit të FSK-së në kompaninë “Ruleman” të këmbësorisë në Ishujt Falkland.

Në lidhje me këtë mision, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se detyra e misionit të FSK-së është për t’i ofruar mbështetje shtetit pritës, përkatësisht Ishujve Falkland në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore

Më poshtë gjeni pikat e plota të dërgimit të FSK-së në këtë mision:

Detyra e misionit të FSK-së është atashimi i personelit të FSK-së në kompaninë “Ruleman” të këmbësorisë në Ishujt Falkland duke i ofruar mbështetje shtetit pritës.

Lloji i operacionit është në mbështetje të paqes.

Vendi i kryerjes së misionit është Ishujt Falkland, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe dhe Irlandës Veriore.

Legjislacioni i zbatueshëm është ai vendor, përfshirë marrëveshja impelemnetuese e ratifikuar me ligj si dhe legjislacioni i shtetit prijës.

Për këtë mision mund të dërgohen jo më shumë se 7 pjesëtarë të FSK-së.

Bazuar në marrëveshjen implementeuse, ky mision mund të zgjas deri në 3 vite me mundësi vazhdimi sipas dakordimit të palëve.

Gjatë kësaj periudhe parashihet rrotacion për dërgim të personelit të FSK-së.FSK-ja në këtë mision është nën komandën e plotë të Forcave të Armatosura të shtetit pritës.

Kostoja financiare për realizimin e këtij misioni mbulohet nga buxheti i Kosovës.

Kufizimet në këtë mision për personelin e FSK-së janë të përcaktuara në marrëveshjen implementuese të nënshkruar midis palëve.