Lajm i keq për studentët të cilët janë fëmijë të veteranëve

 Lajm i keq për studentët të cilët janë fëmijë të veteranëve

Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është mbyllur tash e disa ditë.

Nga ky veprim rrezikojnë të pësojnë studentët e universiteteve publike, të cilët janë invalidë ose veteranë të luftës, studentët që kanë mbetur pa njërin prind si pasojë e luftës dhe fëmijët e invalidëve ose veteranëve të luftës, raporton Gazeta Sinjali.

Kjo pasi që këta studentë duhet të pajisen me një vërtetim për t’u liruar 100% nga pagesa e semestrit dimëror.

Studentët e disa prej universiteteve publike kanë vetëm edhe tri ditë në dispozicion për ta dorëzuar këtë dokument që vërteton se janë pjesë e kategorisë së veteranëve të dalë nga lufta e UÇK-së.

Por, një gjë e tillë mund të jetë e pamundur, për shkak se zyra në fjalë është në grevë.

Në mesin e studentëve që rrezikojnë të humbin mundësinë e lirimit nga pagesa e semestrit, ose edhe mundësinë e regjistrimit të semestrit dimëror, janë edhe dy sinjalizues të Gazetës Sinjali. Njëri nga ta është student i rregullt i vitit të tretë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa tjetri student i rregullt i vitit të tretë në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë.

Ata tregojnë për Gazetën Sinjali se kanë qenë në këtë zyrë, por janë kthyer mbrapsht pa vërtetim, pasi që e njëjta zyrë ka qenë e mbyllur, ndërsa të vetmin arsyetim që kanë marrë nga kjo zyrë është se nuk po punojnë për shkak të mospagesës.

Gazeta Sinjali ka provuar disa herë të kontaktojë me zyrtarë të kësaj zyre, por të njejëtit kanë qenë të paqasshëm.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Financave, për të kuptuar arsyen e mospagesës së punonjësve të kësaj zyre, por nuk ka pranuar përgjigje.

LAJME TË TJERA