LDK i çon selame VV-së dhe PDK-së: Do t’iu mposhtim bindshëm

 LDK i çon selame VV-së dhe PDK-së: Do t’iu mposhtim bindshëm

Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari, thotë se ende nuk kanë marrë asnjë informatë zyrtare nga ana e Presidencës dhe KQZ-së, se kur do të mbahet zgjedhjet për të parin e komunës.

Në një bisedë për Gazeta Blic, Rudari thekson se kurdo që të vendoset mbajtja e zgjedhjeve për kryetar të Podujevës, ata janë të gatshëm që të garojnë. Madje, thotë se janë aq të gatshëm, sa që siç thotë ai: do të fitojnë edhe pa balotazh.

“Ende nuk kemi informatë zyrtare se kur do të mbahen zgjedhjet në Podujevë, por ne jemi të gatshëm kurdo që të mbahen ato. Madje, kemi qenë të gatshëm qysh në fillim të këtij viti dhe do të jemi gjithmonë. Sipas sondazheve që ne i kemi dhe matjeve në teren, do të fitojmë pa balotazh. Për këtë tashmë jam i bindur”, i ka thënë Rudari Gazetës Blic.

Në anën tjetër, burime brenda institucioneve kosovare, kanë thënë se data më e përmendur për mbajtjen e zgjedhjeve, është e diela e 22 nëntorit.

Siç raportoi Gazeta Blic, ndryshimin e 22 nëntorit, si datë kur pritet mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Podujevë, mund ta ndryshojë vetëm situata e pandemisë COVID-19.

Në garë për kreun e Podujevës, kanë hyrë vetëm tri parti.LDK po kandidon me Nexhmi Rudarin, Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin, ndërsa PDK me Naim Fetahun.

LAJME TË TJERA