“Me kryeministrin, RKS” – statusi që ka filluar të shpërndahet me të madhe në ‘Facebook’

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka shpërndarë një status të shkurtër në Facebook ku shkruan “Me kryeministrin” dhe më pas “RKS”.

Statusi i tij është shpërndarë më pas zyrtarë të tjerë e përkrahës të Qeverisë së Kosovës.

Ky status është nënkuptuar si qëndrim i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që po mban në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borell, për gjetjen e një zgjidhje për çështjen e targave ilegale që vazhdojnë të qarkullojnë në Kosovë.

Disa media në Serbi kanë raportuar nga burimet e tyre diplomatike që përkundër se takimi Kurti-Vuçiç po vazhdon, nuk duket të ketë një pajtim, meqë Kurti ka refuzuar të lëviz nga qëndrimi i ligjshëm për zëvendësimin e targave në RKS, derisa Vuçiç ka refuzuar një ofertë që i është bërë nga BE-ja si zgjidhje dhe dalje nga kjo situatë.

Albanian Post ka kuptuar nga burimet brenda Policisë së Kosovës, që njësitet pseciale kanë marrë urdhër që të shtojnë radhët në Veri.

Nisja do të bëhet nga stacioni më i afërt me Veriun “Belvedere”.

Siç dihet, deri më tani, Njësitet Speciale ishin me rrotacione në pjesën e Veriut, por tani do të zhvendosën krejtësisht atje.

Gjithashtu, nga burime brenda Policisë së Kosovës, Albanian Post kupton se kanë vërejtur afrim në kufirin me Kosovën të xhandarmërisë së Serbisë.

Nuk dihet ende me saktësi nëse urdhri për kalim në Veri ndërlidhet me bisedimet në Bruksel dhe pamundësinë e dy liderëve, Albin Kurti e Aleksandër Vuçiç, që të pajtohen për një zgjidhje rreth çështjes së targave. /Albanianpost.com