Me nisma ligjore kërkohet të ndihmohet rritja e konsumit të produkteve vendore

Prodhuesit dhe ekspertët e ekonomisë po kërkojnë ndryshime të ligjve aktuale dhe hartimin e një ligji që do të favorizonte prodhuesit vendës.

Madje po thuhet se duhet të merren shembull shtet e tjera, duke pohuar se përveç fushatave vetëdijsuese duhet që të hartohen edhe ligje që ndihmojnë rritjen e konsumit.

Burim Piraj, pronar i “Meka Halal Food”, për Ekonomia Online tha se duhet të ndryshohen ligjet që kanë të bëjnë me politikat tatimore.

Ai shtoi se për rritjen e konsumit duhet të merren edhe masa legjislative, por edhe të ngritët qytetare.

“Duhet të ndryshohen shumë ligje, sidomos që kanë të bëjnë me politikat tatimore që i përmenda pak më parë dhe çdo lëndë të parë ose gjysmë-produkt dhe ambalazhe duhet automatikisht të lirohet nga taksa doganore dhe nga çdo pagesë”.

“Konsumin vendor mund ta rrisim me marrjen e masave legjislative po pastaj edhe me ngritjen e vetëdijes së qytetarëve për konsum të produkteve vendore ku nuk duhet të kyçen edhe prodhuesit vendor edhe shoqëria civile edhe institucionet”, tha tutje Piraj.

Gjithashtu ai tutje theksoi edhe rëndësinë që të ketë ligj për punën e pagesave të faturave si në vendet fqinjë duke përmendur Maqedoninë.

“Nga ana tjetër, për shembull Maqedonia e ka të rregulluar me ligj punën e pagesave të faturave, në Kosovë nuk është e rregulluar. Në Maqedoni në qoftë se faturat nuk i paguan ndonjë firmë nga rrjetet tregtare të prodhuesve atëherë automatikisht inspektorati e dënon kompaninë dhe e detyron që faturat t’i paguajë, kurse këtu kemi vetëm formën e vetme të realizimit të pagesave me anë të përmbaruesve”.

Njëjtë sikur Piraj mendon edhe eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, i cili tha se duhet të hartohet një ligj që i favorizon prodhuesit.

“Duhet të ketë një ligj që t’i favorizojë prodhuesit vendor dhe një ekonomi është domethënë me pas trende zhvillimore duhet që të ketë prodhim, mirëpo në këtë rast duhet që përpos ligjit, duhet që t’i ndryshojë politikat fiskale, mos të varen nga importi por duhet të rritet produktiviteti i brendshëm”.

“Kriza ekonomike është kupola e të gjitha krizave, në momentin kur ka krizë ekonomike, vendi është në kolaps ekonomik, është e pajetueshme si për shoqërinë, për popullsinë si për konsumatorët, ashtu edhe shteti nuk ka të hyra” tha Bellaqa për Ekonomia Online.

Ai tha se në vendet si Kosova ku pagat janë shumë të ulëta, konsumatorët nuk blejnë produkte të zgjedhura sipas cilësisë, por sipas çmimit.

“Vendet sidomos siç është Kosova, vendet që janë në zhvillim janë vende të pazhvilluara, buxheti që është i varfër i familjeve e pagat janë si në sektorin publik edhe ashtu edhe në sektorin privat janë shumë të ulëta, ata e shikojnë më shumë çmimin sesa cilësinë”, shtoi tutje ekonomisti Bellaqa.