E diel, Shtator 24

Ministri britanik: Kosova është histori suksesi

Kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti sot ka pritur në një takim ministrin e shtetit për Forcat e Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey.

Marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, ishte një prej temave kryesore, ndërsa palët diskutuan mundësinë që bashkëpunimi të rritet, në veçanti në fushën e mbrojtjes.

Siç thuhet në komunikatë, i pari i qeverisë e falënderoi Heappeyn për mbështetjen e vazhdueshme.

“Kryeministri Kurti e falënderoi për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj, teksa e uroi për kurorëzimin e Mbretit Charles III dhe Mbretëreshës Camilla.Ai e njoftoi ministrin Heappey me progresin e Kosovës në këto dy vite qeverisje, duke theksuar se Kosova ka bërë rritje të shënuar ekonomike si për nga rritja e GDP-së, po ashtu edhe e investimeve dhe rritjes së të hyrave.

Pasi theksoi rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes, vlerësoi të nevojshëm rritjen e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Mbretërisë së bashkuar në këtë drejtim me bashkë-zbarkime, trajnime dhe pajisje të reja ushtarake. Deri më tani 28 kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses programin e edukimit ushtarak në Akademinë Ushtarake Mbretërore të Sandhurst”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.