Masa të reja për Malishevën, qarkullimi kufizohet prej orës 14:00 deri në 6:00 të mëngjesit

 Masa të reja për Malishevën, qarkullimi kufizohet prej orës 14:00 deri në 6:00 të mëngjesit

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim për kufizime të reja të lëvizjes së njerëzve në komunën e Malishevës. Nga nesër prej orës 14:00 deri në 6:00 të mëngesit në Malishevë do të jetë orë policore. Kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj e ka konfirmuar për Gazetën Express këtë masë të re të lëvizjes.

Malisheva po prin me numrin më të madh të të prekurve me koronavirus në nivel vendi. Deri më tani janë konfirmuar 66 raste.

Ndërkaq nga nesër në këtë komunë është vendosur që njerëzit të lëvizin vetëm prej orës 6 të mëngjesit deri në orën 14:00.

Kryetari i Komunës Ragip Begaj i tha Gazetës Express se janë njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë për këtë vendim dhe do të hyjë në fuqi nga nesër.

“Po jemi informuar për vendimin e marrë nga Ministria e Shëndetësisë dhe duke filluar nga nesër në Malishevë kufizimi i lëvizjes do të fillojë nga ora 14:00 pasditë deri në 6 të mëngjesit”, tha Begaj.

Vendimi i qeverisë për kufizimin e lëvizjes si pasojë e pandemisë do të ndryshohet nga dita e hënë dhe do të zëvendësohet me masa të reja për të cilat është autorizuar Minsitria e Shëndetësisë.

Sipas të dhënave, në këtë komunë janë prekur dhjetë fshatra, ndërsa ka pasur katër burime të infeksionit. Por, Malisheva mbrëmë shënoi viktimën e parë nga koronavirusi.

Sot komunën e Malishevës e ka vizituar, kryeministri në detyrë, Albin Kurti për t’u informuar më afër me menaxhimin e situatës me pandeminë Covid-19.

Sot po ashtu, Shtabi i Krizës për komunën e Mitrovicës së Verit dhe Zvecanit i kryesuar nga Goran Rakic ka vendosur që të ndalojë lëvizjen e njerëzve nga ora 12 e mesditës deri në ora 6 të mëngjesit.

Për këtë vendim ka njoftuar vet kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic që do të hyjë në fuqi nga nesër dhe do të zgjasë 14 ditë.

LAJME TË TJERA