MSH-ja planifikon t’i blejë ilaçet për të cilat foli Trump

 MSH-ja planifikon t’i blejë ilaçet për të cilat foli Trump

Në fillim të javës që po vjen, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar pritet të furnizohet me dy barna, të cilat sipas presidentit amerikan Donald Trump, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë dhënë rezultate të mira te trajtimi i pacienteve me COVID 19.

Siç ka mësuar KOHA, Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar procedurë të negociuar me një kompani për furnizim me ilaçet Hydroxychloroquine dhe Azithromycin.Këto dy barna nuk janë të reja, por disa shtete kanë thënë se kombinimi i tyre ka dhënë rezultate pozitive te pacientët.

Siç kanë thënë burimet tashmë janë porositur nga 400 doza prej këtyre produkteve.Në Ministrinë e Shëndetësisë kanë pranuar vendimin për blerjen e këtyre dy ilaçeve, por nuk kanë folur zyrtarisht.

“Në dy ditët e ardhshme pritet të bëhet furnizimi”, ka thënë burimi. Javën që po shkon, presidenti i SHBA-së ka përmendur këto dy produkte. Të shtunën përmes një postimi nw rrjetet sociale, presidenti Trump ka rekomanduar sërish të përdoren këto dy ilaçe “Hydroxychloroquine dhe Azithromycin.

“Nëse merren së bashku kanë shansin të ndryshojnë historinë e mjekësisë. Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve (FDA) ka ‘lëvizur malet’ – Faleminderit! Shpresojmë se të dyja së bashku (H funksionon më së miri me A, Revista Ndërkombëtare e Agjentëve Antimikrobikë) të vendosen në përdorim sa më shpejtë. Njerëzit janë duke vdekur, lëvizni shpejtë dhe Zoti iu bekoftë të gjithëve”, ka shkruar Trump.Megjithatë më 20 mars, CNN-i ka raportuar se nuk ka dëshmi shkencore për përdorimin e këtij kombinimi kundwr COVID 19.

“Chloroquine nuk është aprovuar nga FDA-ja për të trajtuar koronavirusin dhe as nuk ka ndonjë ilaç tjetër. FDA e bëri të qartë në një deklaratë në të cilën thuhet se nuk ka medikamente ose ilaçe të aprovuara nga ajo për të trajtuar, kuruar ose parandaluar COVID-19”, thuhet në artikullin e CNN. Artikulli sqaron se në çfarë raste mund të përdoren. “Për shkak se Chloroquine është aprovuar për qëllime të tjera, mjekëve u lejohet ligjërisht ta përshkruajnë atë për përdorimin ‘jashtë-etiketë’ në trajtim të koronavirusit nëse dëshirojnë. Por siguria dhe efektiviteti i saj nuk është provuar në lidhje me koronavirusin”, thuhet në këtë artikull. “Ne duam ta bëjmë këtë në mjediset e një prove klinike. Duhet një provë klinike e madhe, pragmatike, për të mbledhur informacionet e nevojshme dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të rëndësishme mbi përdorimin e tyre”, citohet se ka thënë komisioneri i Agjencisë amerikane të Ushqimit dhe Ilaçeve, Stephen Hahn.

Në faqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë nuk ka të dhëna për efektin e këtyre barnave te pacientet me COVID 19. “Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se deri më tani nuk ka prova përfundimtare të efektivitetit të saj, por është pjesë e provave të vazhdueshme”, thuhet në një artikull të BBC-së të botuar një ditë me parë.Hydroxychloroquine përdoret për të parandaluar dhe trajtuar sulmet akute të malaries, ndërsa Azithromycin është përdorur për të trajtuar shumë lloje të ndryshme të infeksioneve të shkaktuara nga bakteret, të tilla si infeksione të frymëmarrjes, infeksione të lëkurës, infeksione në vesh, infeksione në sy dhe sëmundje seksualisht të transmetueshme. Të dy këto barna siç ka mësuar gazeta, gjenden në tregun e Kosovës.

LAJME TË TJERA