Pacientja nga Rahoveci me Covid-19, qëndroi më shumë se një javë në spitalin e Gjakovës

 Pacientja nga Rahoveci me Covid-19, qëndroi më shumë se një javë në spitalin e Gjakovës

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka thënë se një paciente me origjinë nga Rahoveci, ka qëndruar për një javë në spitalin regjional të Gjakovës para se të konfirmohej me Covid-19. Gjini ka thënë se çështjen e ka ngritur në IKSHPK dhe tek ministri i Shëndetësisë, Armen Zemaj. Tutje ai thotë se ka frikë që Gjakova mund të kthehet në vatër të re të infeksionit.

‘’Ky reagim imi vjen si pezm për mosveprimin e IKSHPK ndaj një rasti tejet problematik të një infeksioni me Covid-19 në spitali regjional të Gjakovës. Para katër ditësh, një paciente me origjinë nga komuna e Rahovecit që ka qenë e hospitalizuar në spitalin regjional të Gjakovës ka rezultuar pozitive me Covid-19. E njejta ka qëndruar në spital për mê shumë se një javë.’’, ka thënë ai.

‘’Të hënën në takimin e kryetarëve të komunave të Kosovës me ministrin Zemaj dhe Prof. Ramadani nga IKSHPK e kam ngritur këtë rast dhe kam kërkuar rezultate të shpejta të testeve sepse pas tetë javësh pa asnjë të infektuar, Gjakova mund të kthehet në një vatër të re infeksioni mu për faktin se pacientja ka qëndruar gjatë në spital dhe, edhe më keq, përpos personelit mund të ketë edhe pacientë tjerë të infektuar.’’, shtoi tutje.

Ai shton se mostrat e personelit të spitalit janë marrë me datën 8 qershor, ndërsa ende nuk janë kthyer.

’Reagimi im ka të bëjë me faktin se po hymë në ditën e katërt qëkur është diagnostifikuar pacientja dhe ende nuk kemi rezultate për personelin shëndetësorë të spitalit regjional të Gjakovës. Me datën 8 të këtij muaji janë marrur mostrat e 19 punëtorëve personel i spitalit dhe as sonte me dt 10 nuk jane trajtuar mostrat. Një pjesë e tyre mund t’i kenë infektuar familjet apo personat tjerë. Këto mostra është dashur të trajtohen me urgjencë absolute. Rezultatet e IKSHPK nuk maten ndryshe përpos me efikasitet të testimit, sidomos kur kemi të bëjmë me institucione shëndetësore.’’, thotë ai duke shtuar se kjo është e pajustifikueshme.

LAJME TË TJERA