Përfitoi gjashtëdhjetë mijë euro nga organizimi i lojërave të fatit, baste sportive, prokuroria kërkon paraburgim ndaj të pandehurit

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit F.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria njofton se, i pandehuri F.M., nga data e pavërtetuar e deri më 02 gusht 2022 në një kafiteri në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, dhe duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndalimin e Lojërave të Fatit, organizon dhe merr pjesë në zhvillimin e veprimtarisë së lojërave të fatit – baste sportive, ku nga bastet e luajtura nga Sh. H., i pandehuri përfiton para në shumën prej 60.000 (gjashtëdhjetë mijë) euro.

Peshkatari shpëton 33-vjeçaren që kërceu nga Ura e Fshajt me synimin për t’u vetëvrarë

Me këto veprime ka kryer veprën penale, “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” nga neni 294 paragrafi 3 lidhur me paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjithashtu, i pandehuri F.M., më parë e deri më 09 gusht 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë. Me këto veprime ka kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 2 të KPRK-së. Prokurori i rastit ndaj të pandehurit F.M., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.