Policia njofton se i ka nisur hetimet për 6 vdekjet e dyshimta të pacientëve me COVID- 19

 Policia njofton se i ka nisur hetimet për 6 vdekjet e dyshimta të pacientëve me COVID- 19

Gjashtë vdekje të dyshimta kanë ndodhur brenda 48 orëve të fundit në Klinikën Infektive të QKUK-së.

Të gjithë këta persona të shtrirë në këtë Klinikë ishin të konfirmuar me COVID-19.

Vdekjet e tyre ishin misterioze, anise ka dyshime se ato mund të kenë ndodhur si pasojë e mungesës së oksigjenit.

Por, organet e hetuesisë a as Infektiva e QKUK-së e Ministria e Shëndetësisë, ende nuk kanë dhënë asnjë version sa i përket kësaj çështjeje.

Hetimet, tashmë kanë nisur nga ana e Policisë së Kosovës. Ky institucion hetimor, ka bërë të ditur sot se janë 6 vdekje të dyshimta që kanë ndodhur në Infektivë së fundmi e që po hetohen.

Të gjithë trupat janë dërguar për në obduksion për ta zbuluar kështu misterin e vdekjes së këtyre personave.

“Prishtinë 05.07.2020 – 01:00. Raportohet se në Kliniken Infektive në Prishtinë kanë vdekur gjashtë persona që të gjithë kosovar. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.

E gjatë ditës së djeshme Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës kanë dalë me një komunikatë të përbashkët pas ngjarjeve në Klinikën Infektive.

MSH-ja njoftoi se pacientët që ndërruan jetë mbrëmjen e së dielës në Infektivë ishin në gjendje të rëndë me COVID-19, pa dhënë informata të tjera.

Ministria dhe SHSKUK-ja nuk e konfirmuan numrin e saktë të pacientëve që ndërruan jetë sot, teksa u shprehën ngushëllime familjarëve.

Ndërkaq kryeministri, Avdullah Hoti nuk ka dhënë ndonjë informatë shtesë se si ka ndodhur e gjithë kjo ngjarje. Ai ka thënë se për këtë çështje do të merren organet e hetuesisë kosovare. /Express/

LAJME TË TJERA