Pritet shtrenjtimi i naftës

 Pritet shtrenjtimi i naftës

Çmimi i naftës dhe derivateve të saj ka shënuar ngritje së fundmi.Shtrenjtim pritet të ketë edhe në ditët në vijim.

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, është shprehur se rritja e çmimit për furnizim me naftë ka ndodhur de do të ndodhë edhe më tutje për shkak të ndryshimit të çmimeve në bursën ndërkombëtare.

“Në këtë periudhë ka ngritje të çmimeve në berzë por edhe organizata prodhuese OPEC e ka reduktuar prodhimin çfarë e ka shkaktuar lëvizjen e çmimeve”, ka thënë ai për klankosova.tv.“Çmimet në import janë rritur, por me pakicë çmimet kanë shënuar një lëvizje të lehtë.

Në ditët në vijim pritet të ketë rritje më të theksuar. Çmimet i përcakton berza dhe organizata prodhuese OPEC”. Megjithë paralajmërimet për ndryshim të çmimeve, Berjani ka thënë se krahasuar me vendet e rajonit në Kosovë ofrohen çmimet më të lira.

“Kosova krahasuar me vendet e rajonit i ka çmimet më të lira, përveç Maqedonisë së Veriut e cila e ka akcizën e derivateve të naftës më të ulët për 22 cent”.“Në Kosovë tash përafërsisht çmimet sillen; për Dizel 0.88 euro, Benzina 0.89 euro. Ndërkaq në Shqipëri, Dizeli ofrohet me 1.24 euro kurse Benzina me 1.25 euro”.“Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në rajon dhe Evropë.

Për momentin pikat e karburanteve janë duke punuar me 50-60 për qind të kapaciteteve për shkak të pandemisë”.Pas shfaqjes së koronavirusit gjithandej globit çmimet kanë pësuar rënie të dukshme e cila është vërejtur edhe në Kosovë, ku çmimi ka rënë edhe deri në 70 cent për litër.
“Në muajin prill është shënuar çmimi më u ulët në 20 vjetët e fundit, për Dizel 0.70 euro, kurse Benzina me 0.71 euro”, ka thënë ai.Berjani ka potencuar se sa i përket cilësisë, ajo është e njëjta sikurse me shtetet e rajonit.“Cilësia kontrollohet nga Dogana e Republikës së Kosovës ku e ka laboratorin dhe kemi dy laboratorë tjera te autorizuara nga MTI-ja.

Kontrollimi i cilësisë ka arrit të bëhet 6 për qind gjatë importit. Ne nuk jemi të kënaqur me këtë kontroll, sepse duhet të jetë më e lartë”.Berjani ka bërë me dije se janë takuar me ministrin e ri të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, të cilit ia kanë prezantuar disa kërkesa, e që ka thënë se ai i ka mirëkuptuar ato.“Për pastrimin e rezervuarve vendimi është diskriminues ku kalibrimi i një pike rrjedhëse ka qenë 10 euro dhe me udhëzimin e ri e kanë rritur çmimin 26 euro. Por ministri na premtoi se do të kthehet çmimi në 10 euro – siç ka qenë”.“Udhëzimi Administrativ Nr.06/2019 për pastrimin e rezervuarve ku parasheh pastrimin e tyre çdo tre vjet është kundër çdo standardi të BE-së.

Në BE pastrimi i rezervuarve bëhet në 10 deri 15 vjet. Ky udhëzim është kundër çdo dispozite ligjore. Edhe për këtë udhëzim ministri Vesel Krasniqi na premtoi se do të përmirësohet”“Kërkesa tjetër ishte ku të gjitha kompanitë në vitin 2020 që nuk kanë aplikuar për licencë të licencohen pa ndëshkime sepse në tërë globin bizneset ndihmohen e te ne në Kosovë ndëshkohen”.Një javë më parë inspektorati i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë bashkë me Agjencinë e Metrologjisë kanë nisur marrjen e mostrave të derivateve për verifikimin e cilësisë dhe sasisë.

“Mostra të tilla do të vazhdojmë të marrin edhe në ditët e ardhshme, dhe po ashtu Inspektorati bashkë me Agjencinë e Metrologjisë do t’i shtojnë mostrat, duke i dyfishuar dhe kjo gjithmonë duke pasur për bazë mbrojtjen e konsumatorit, që është̈ njëra ndër top prioritetet e mia”, ishte deklaruar ministri i ri Vesel Krasniqi.“I siguroj të gjithë qytetarët e vendit që do të marrin atë që paguajnë, sikundër që zotohem që bizneseve do t’iu dalim në ndihmë në çdo kërkesë të tyre!”, njofton Klan Kosova.

LAJME TË TJERA