E mërkurë, Tetor 5

Rahovec, dënohet me burgim një grua që sulmoi fizikisht të fejuarin e saj

Një grua me inicialet B. Th., është dënuar me burgim pasi që bashkë me një person tjetër, ka sulmuar fizikisht të fejuarin e saj, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, ka shqiptuar dënim me burgim ndaj të akuzuarës B. Th., në kohëzgjatje prej 6 muaj, por që i njëjti dënim nuk do të ekzekutohet nëse e akuzuara në afat prej 1 vit e 6 muaj, nuk kryen vepër tjetër penale.

“Ca kokrra rrushi…”, slogani i Hardh Fest inspiruar nga vargjet e poetit Xhevdet Bajraj

Të lartëcekurës i është shqiptuar edhe një gjobë prej 200 euro, që obligohet ta paguajë brenda 15 ditëve. Nëse e njëjta nuk dëshiron ose nuk ka mundësi ta paguajë, atëherë do t’i zëvendësohet me burgim, duke i llogaritur 20 euro për një ditë.

Ndërsa të akuzuarit tjetër, me inicialet M. Th., i është shqiptuar po ashtu gjoba prej 200 eurove.

Si ka ndodhur ngjarja?

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, me datë 27 shtator 2021, në një fshat të Rahovecit, në bashkëkryerje, të akuzuarit B.Th. dhe M.Th., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarin B.G.

Fillimisht, e akuzuarja të dëmtuarit, që sipas Gjykatës ka qenë i fejuari i saj, për shkak të një mosmarrëveshje ia hedh fytyrës disa mëlmesa dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me shuplakë, e më pastaj duke e kapur për bluze dhe duke ia shqyer atë.

Më pas, i akuzuari tjetër M.Th., e sulmon fizikisht të dëmtuarin, duke e kapur për krahu dhe duke e goditur me boks në fytyrë dhe me forcë e nxjerrë nga shtëpia, me ç’rast sipas Gjykatës, me këto veprime të dëmtuarit i kanë shkaktuar dhimbje fizike dhe shqetësim emocional.