Rahovec: Vjedhje në një shtëpi, hajnat gjejnë derën hapur dhe vjedhin tri armë dhe qindra euro

Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Në shumicën e rasteve, hajnat arrijnë të ikin me mijëra euro e gjësende me vlerë pa lënë ndonjë gjurmë.

Kështu ka ndodhur edhe së fundmi, në një shtëpi në fshatin Opterushë të Rahovecit, ku hajnat kanë arritur të vjedhin tri armë, që kapin vlerën e rreth 6 mijë eurove, si dhe qindra euro para të gatshme.

Sinjali mëson se këtë herë hajnat e patën më të lehtë pasi e gjetën derën të hapur, për shkak se familja ndodhej brenda shtëpisë. Vjedhja dyshohet se është kryer brenda pak minutash dhe u zbulua nga pronari i shtëpisë, i cili e denoncoi më pas rastin.

Viktima ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ndërkohë që pas raportimit të rastit, një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, kurse veprimet e tjera do të ndërmerren posa të identifikohen dhe të kapen personat e dyshuar.