Rashkaj thirrje lojtarëve të rinj: Pranojeni Kosovën sa me shpejtë, sepse më pas do të jetë shumë vonë!

 Rashkaj thirrje lojtarëve të rinj: Pranojeni Kosovën sa me shpejtë, sepse më pas do të jetë shumë vonë!

Ish-kapiteni i Kombëtares së Kosovës Anel Rashkaj është ndalur të flas rreth hapave nëpër të cilët po kalon skuadra e trajnerit Bernard Challandes dhe zhvillimin e saj duke e krahasuar me kohën kur ai ishte pjesë e kombëtares.

Në një intervistë për KosovaPress, Rashkaj ka b֝ërë një krahasim ndërmjet organikës aktuale të ekipit me atë kur ai ishte duke luajtur.

Ai thotë se në kohën e tij skuadra kishte probleme, sidomos në repartin e mesfushës, problem ky i cili, sipas tij, tashmë është eliminuar me ardhjen e lojtarëve të rinj.

Rashkaj: Prurjet e reja e kanë i kanë bërë shumë mirë Përfaqësueses së Kosovës.

“Ne kemi pasur pak probleme me lojtarë në mesfushë dhe shkaku ka qenë që më së shumti që kanë luajtur kanë qenë Shaka dhe Kryeziu por ata kanë qenë një kohë të gjatë të lënduar, nuk kanë qenë edhe shumë me kombëtare dhe pastaj janë larguar kështu që nuk ka pasur edhe shumë mesfushorë por mendoj që një hap shumë i mirë është bërë me Dresheviçin..ka kontribuar jashtëzakonisht shumë…Mendoj që Loshaj ka luajtur shumë mirë kundër Spanjës, tani e kemi edhe Domgjonin që ka pranuar të luajë për Kosovën dhe mendoj që konkurrenca është në rritje e sipër”, ka thënë Rashkaj.

Rashkaj po ashtu ka folur edhe rreth punës së trajnerit zviceran Bernard Challandes me Kosovën e cila sipas tij duhet të ndahet në dy pjesë, në atë para dhe pas pandemisë.

Sipas tij, pandemia ka ndikuar shumë që të mos merren rezultatet e duhura për shkak të mungesës së shumë lojtarëve.

Rashkaj: Puna e Bernard Challandes duhet të analizohet në dy periudha

“Mendoj që unë e kisha ndarë në dy pjesë. Pjesën e parë që ka qenë një periudhë shumë e mirë, mendoj që në Ligën e Kombeve e fituam grupin, shkuam në kualifikim në gjysmëfinale pastaj e kishim grupin në kualifikime me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë, Malin e Zi ku treguam me të vërtetë lojë të mira dhe patëm rezultate të mira. Pastaj ka ardhur një periudhe shumë e vështirë edhe për trajnerin edhe për të gjithë sidomos kjo puna e pandemisë na ka shkaktuar shumë probleme duke e ditur që lojtarët më të mirë nuk kanë mundur të luajnë në disa ndeshje shumë të rëndësishme…Tani mendoj që pas asaj periudhe pak më të vështirë mendoj që trajneri e ka marr një hap shumë të mirë dhe më ka pëlqyer shumë kjo puna e ndryshimit të mentalitetit…Ka qenë koha që lojtarët ta ndryshojnë pak mentalitetin dhe të vije pak më shumë konkurencë në ekip dhe çdo lojtar ta kuptojë që nuk e ka vendin të sigurt në kombëtare”, ka thënë më tutje Rashkaj.

Ish-kapiteni i “Dardanëve” u tregua i ashpër kur foli për lojtarët e rinj kosovarë që luajnë nëpër klubet evropiane duke i paralajmëruar ata që ta zgjedhin Kosovën para shteteve të tjera sepse niveli i kualiteteve të Kosova po rritet me shpejtësi dhe se ata nuk do të luten më.

Rashkaj: Lojtarët e rinj duhet ta pranojnë sa më shpejtë Kosovën

“Dikush ndjenë më shumë për Kosovën, dikush më pak, por unë mendoj që duhet të bëhet punë që t’iu shpjegohet këtyre lojtarëve, t’iu prezantohet një projekt serioz, t’iu tregohet puna në kombëtare dhe mendoj që edhe këta lojtarë e kanë parë që Kosova është kombëtare serioze, nuk është në nivelin e Sam Marino dhe Maltës, ka lojtarë shumë më kualitativ në ekip dhe mendoj që këta lojtarë duhet seriozisht ta marrin Kosovën si opsion dhe atë në fillim sepse nuk mendoj që është mirë të pritet edhe shumë sepse Kosova do të ketë lojtarë dhe pastaj nuk do të jetë edhe e lehtë të hyjnë në Kombëtaren e Kosovës sepse ndoshta, mendoj që brenda dy, tre viteve Kosova do të ketë shumë lojtarë dhe pastaj konkurrenca do të jetë shumë më e madhe dhe nuk do të luten këta lojtarë më. Ata duhet ta mendojnë seriozisht Kombëtaren e Kosovës dhe të vijnë të luajnë për shtetin e tyre…Shteti ynë është Kosova, nuk mund të jetë një shtet tjetër shteti yt ”, ka thënë në fund Rashkaj.

Anel Rashkaj ka mbrojtur ngjyrat e Kombëtares së Kosovës nga viti 2010 deri në vitin 2021.

LAJME TË TJERA