Reshjet e borës drejt nesh, priten edhe shtresa!

Ndonëse jemi në fund të Janarit, ka shumë zona që ende nuk e kanë përjetuar borën e parë. Kjo gjendje meteorologjike pritet të merr kahje tjetër.

Pra, masat e ftohta ajrore nga veriu i kontinentit do të fuqizohen ditëve vijuese, të cilat në kombinim me masat e lagështa që vijnë nga Greqia, përpos reshjeve lokale të shiut, pritet të sjellin edhe reshje bore thuajse në të gjithë territorin e Kosovës, kryesisht të Enjten dhe të Premten.

Gjasat për borë do të jenë më të shumta të Premten.

Reshjet do të jenë me intensitetet të ndryshueshëm por kryesisht në sasi të pakta, me ç’rast priten edhe shtresa të ulëta. Në momente dhe zona të veçanta reshjet do të jenë intensive.

Për shkak që masat e ftohta nuk do të jenë aq të forta, reshjet e borës në Rrafshin e Dukagjinit mund të përzihen apo shndërrohen në ato të shiut gjatë ditës.

Edhe në fundjavë parashikohet të mbajë mot i vranët dhe mund të ketë reshje të izoluara bore.

Temperaturat do të luhaten prej -4 deri në 4°C. /MeteoKosova/